Vendi është përfshirë që prej orëve të para të mëngjesit nga moti i keq dhe përmbytje në të gjithë vendin.
Emergjencat pranë Bashkisë së Vlorës janë pozicionuar në terren pranë urës së Mifolit, në shtratin e lumit Vjosë, ku po kryhet përforcimi i argjinaturës me rreth 800 metra kub dhe për ta ngritur mbi nivel.
Ndërhyrja po kryhet në ato pjesë Ku ka patur dëmtime të argjinaturës dhe qëllimi mbetet për të ndërhyre në kohë për të mos patur rrezik.
Kanan Shakaj, kreu i njësisë administrative Novosele tha se Vjosa ka kohë që nuk ka dalë nga shtrati, megjithatë situata duhet mbajtur nën monitorim të vazhdueshëm.
“Po hedhim dhe presim normalisht situatën që pritet në orët e mbrëmjes,” u shpreh ai, referuar edhe parashikimeve për reshje intensive.
Ndërkohë Shakaj ka theksuar edhe se janë bërë edhe njoftimet për çdo emergjencë të mundshme, kryesisht në familjet që kanë banesat apo gjenë e gjallë pranë shtratit të lumit Vjosë në mënyrë që strukturat të ndërhyjnë menjëherë nëse paraqitet nevoja. Për momentin nuk ka rrezik megjithatë po merren të gjitha masat e nevojshme.

