I ftohti siberian, me reshje të dendura bore vazhdon të krijojë probleme në Europë. Në shumë vende hekurudhat kanë pezulluar shërbimet, ndërsa në Zvicër një aeroport është mbyllur përkohësisht.
Reshjet e reja të dëborës në Europë kanë shkaktuar sërish probleme në transportin publik, me anulime itineraresh dhe vonesa të gjata. Aeroporti i Gjenevës, në Zvicër, është detyruar të mbyllet përkohësisht pasi ngrica kishte pushtuar pistat dhe është dashur kohë për t’i pastruar. Sipas raportimeve të BBC, ngricat e forta kanë bërë gjithashtu që hekurudhat në mbarë kontinentin të pezullojnë shërbimet, ndërkohë që paraliza janë verifikuar edhe në akse të rëndësishme rrugore.
Kështu, rreth 2 mijë shoferë u detyruan të qëndronin të bllokuar për rreth 24 orë në një aks rrugor pranë qytetit Montpelie, në Francë. Ndërkohë, bilanci i viktimave si pasojë e të ftohtit është rritur ndjeshëm. Numri më i lartë është regjistruar në Poloni, me 21 raste, e ndjekur nga Britania me 9, bën të ditur agjencia e lajmeve “AFP”. Shumica e tyre besohet të jenë të pastrehë.
Ndërkohë, i ftohti i acartë është shtrirë edhe në zonën mesdhetare, si dhe në veri-perëndimin e thellë. Irlanda po bëhet gati të përjetojë atë që parashikohet të jetë dëbora më e dendur në dekada. Në shumë vende të tjera, temperaturat vazhdojnë të jenë në minimumin historik. I ftohti siberian ka marrë pseudonime të ndryshme në vende të ndryshme. Kështu, në Britani është quajtur “Bisha nga lindja”, në Holandë “Ariu siberian”, në Suedi “Artiljeria e dëborës”./abcnews.al