Shqipëria
Moti – E hënë, 25 dhjetor 2017
Sipas MeteoAlb: Territori mbetet në kushtet e kthjellimeve gjatë paradites por gradualisht vranësira të lehta shfaqen në zonat Veriore.
Pas mesditës dhe kryesisht gjatë pasdites, vranësira të herë pas hershme do të ketë në zonat Veriore dhe Lindore ndërsa mot kryesisht i kthjellët dominon pjesën më të madhe të Shqipërisë.
Temperaturat e ajrit sjellin rritje të ndjeshme me 3 – 4°C në të dy ekstremumet termike ditore, vlerat e të cilave luhaten nga -1 në 15°C.
Era do të fryjë kryesisht e lehtë, me shpejtësi deri 25 km/h nga drejtimi Veriperëndimor duke gjeneruar në det dallgëzim të ulët.
Moti – E martë, 26 dhjetor 2017
Sipas MeteoAlb: Kthjellime dhe vranësira kalimtare dominojnë zonat Jugore dhe një pjesë të Qendrës së Shqipërisë ndërsa Veriu paraqitet me vranësira të shpeshta e reshje të pakta shiu e dëbore.
Gjatë pasdites do të ketë shtim të vranësirave në të gjithë vendin duke sjellë reshje shiu e dëbore në Veri-Verilindje dhe gradualisht gjatë natës, reshjet shtrihen në pjesën më të madhe të vendit.
Temperaturat e ajrit mbeten të pandryshuara gjatë orëve të para të ditës por një rënie të lehtë do të sjellin orët e mesditës.
Era do fryjë e lehtë dhe mesatare, me shpejtësi deri 27 km/h nga drejtimi Jugperëndimor ndërsa në det dallgëzimi mbetet 1 – 2 ballë.