Moti i keq vazhdon të mbizotërojë në Kinë, me temperaturat që janë nën zero në pjesën më të madhe të vendit, duke bërë që autoritetet të kufizojnë udhëtimet.
Temperaturat pritet të shkojnë nën -40 gradë Celsius në pjesën verilindore Heilongjiang dhe rajonit Xinjiang në veriperëndim, sipas parashikimeve të shërbimit meteorologjik kombëtar të vendit.
Në fillim të javës së ardhshme, rekordi i janarit 1980 prej minus 47.9°C në qytetin Tichun në Heilongjiang ka të ngjarë të thyhet. Në provincën Henan, reshjet e borës dhe rrugët me akull, së bashku me mjegullën e dendur shkaktuan shumë aksidente, duke bërë që autoritetet të marrin masa për kontrollin e trafikut.
Autoritetet e trafikut në provincën Ningxia thanë se disa autostrada nuk janë më të sigurta dhe vendosën kufizime të përkohshme të udhëtimit për shkak të reshjeve të borës.
Në Gansu fqinje, disa autostrada u mbyllën gjithashtu dhe disa shërbime të trenave u pezulluan, sipas mediave shtetërore.
Javën e ardhshme masa të ftohta ajrore do të vijojnë të prekin vendin, me temperatura të ulëta në rajonet qendrore dhe lindore. Sinoptikanët thonë se në pjesën më të madhe të vendit do të ketë temperatura më të ftohta se normalja gjatë dhjetë ditëve të ardhshme.
/abcnews.al