Moska: Perëndimi do që të ndalojë organizimin e Rusi 2018

schedule14:45 - 1 Prill, 2018

schedule 14:45 - 1 Prill, 2018

Rusia ka akuzuar Perëndimin se po tenton t’i ndalojë organizimin e Kampionatit Botëror të Futbollit duke përdorur rastin e helmimit të ish-spiunit Skripal në Britani. Londra ka njoftuar se në Kupën e Botës nuk do të marrë pjesë asnjë zyrtar i Mbretërisë së Bashkuar dhe as familja mbretërore.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka akuzuar Britaninë e Madhe dhe SHBA-të se kërkojnë të ndalojnë vendin e saj në organizimin e Kupës së Botës këtë verë. Duke folur në një intervistë të gjatë me një kanal televiziv rus, ajo tha se “qëllimi kryesor” i tyre është ta “marrin Kupën e Botës jashtë Rusisë”. Britania e Madhe ka kërkuar të ndëshkojë Rusinë pasi e akuzon atë se qëndron prapa një sulmi me substancë kimike ndaj ish spiunit Sergej Skripal dhe të bijës Yulia. Nga ana tjetër Moska mohon çdo përfshirje.

Familja mbretërore nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës si pjesë e kundërpërgjigjes së Londrës. Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson e ka krahasuar kampionatin botëror të futbollit në Rusi me Lojërat Olimpike të Gjermanisë Naziste të 1936. Gjithashtu një deputet opozitar ka bërë thirrje që ky event të shtyhet ose të zhvillohet në një shtet tjetër.

Megjithatë, aktualisht nuk ka asnjë sugjerim se ekipi i Anglisë do të bojkotojë kampionatin prestigjioz, i cili fillon në Qershor. Shumë diplomatë janë dëbuar nga të dy anët në mosmarrëveshjen për helmimin e ish spiunit rus në Salisbury më 4 Mars. Në masën më të fundit, rreth 170 diplomatë rusë dhe anëtarët e tyre të familjes u larguan nga Uashingtoni. Në të njëjtën kohë, flamuri amerikan në konsullatën amerikane në Shën Petersburg u hoq pas udhëzimit të qeverisë ruse për ta mbyllur atë.

Ndërkohë, Skripal është gjendje kritike, por të qëndrueshme. Ndërsa e bija Yulia thuhet të jetë përmirësuar ndjeshëm dhe është e aftë të flasë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!