“Mos e dhëntë zoti të ndeshemi me Shqipërinë”, presidenti i Federatës Serbe të Futbollit i trembet shortit të EURO 2024

schedule17:44 - 27 Nëntor, 2023

schedule 17:44 - 27 Nëntor, 2023

Kanë kaluar 9 vjet, por kjo nuk mund të harrohet.

Në Shqipëri e mbajnë mend mirë skandalin e Beogradit, kur kombëtarja shqiptare luajti ndaj Serbisë në eliminatoret e Europianit 2016, dhe kur dhuna kaloi çdo fantazi.

Mesa duket as në Serbi nuk e kanë harruar, dhe këtë e thotë hapur presidenti i Federatës së Futbollit të këtij vendi, Dragan Xhajiç.

Legjenda e futbollist serb dhe jugosllav, nënkampion i Europës si lojtar në 1968 dhe yll i madh i Crvena Zvezdës, nuk lë asnjë dyshim për ndjenjat e tij kur pyetet nëse shorti në Euro 2024 mund të jetë në një grup me Shqipërinë.

“Nga gjithë këto ekipe që janë në short, nuk është e lehtë të zgjedhësh katër ekipet që dëshiron të kesh në grup. Sido që të ndodhë, do të jetë e vështirë. Në një farë mënyre, gjithmonë do të jetë e vështirë. Unë nuk mundem tani që të zgjedh. Gjermania, Franca, Spanja janë të vështira, por të vështira janë edhe Rumania. Mos e dhënë Zoti të jetë Shqipëria. Nuk di kush mund të jetë tjetër që të na krijojë probleme”.

Skandali i madh të tetorit 2014 në stadiumin e Partizanit të Beogradit krijoi një frikë të vërtetë se diçka e tillë mund të ndodhë edhe në përballje të tjera shqiptaro-serbe.

Kur në 2017, shorti e vendosi Skënderbeun në një grup me Partizanin e Beogradit në Ligën e Europës, shqetësimi në kryeqytetin e Serbisë ishte tepër i madh dhe masat e sigurisë që u morën në nëntor të atij viti ishin si për gjendje lufte.

Të mos harrojmë edhe se çfarë ndodhi në Kupën e Botës në Katar kur Serbia ishte përballë Zvicrës së Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit, dhe ku pati përplasje dhe u rrezikua një skandal i vërtetë, me gjakrat e nxehura që nga Botërori në Rusi në 2018, kur pikërisht Xhaka e Shaqiri shënuan ndaj serbëve duke festuar me simbolin e shqiponjës./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!