“Mori ryshfet për të favorizuar të dënuarin”, SPAK mbyll hetimet për gjyqtaren e Elbasanit dhe çon dosjen për gjykim

schedule11:01 - 29 Dhjetor, 2022

schedule 11:01 - 29 Dhjetor, 2022

SPAK ka mbyllur hetimet, për gjyqtaren e Elbasani Zamira Vyshka, avokatin Ilir Pashaj dhe të pandehurve të tjerë.

SPAK ka marrë të pandehur 5 persona, ku përveç Vyshkës e Pashajt nën hetim janë marrë edhe 3 familjarë që do ndërhynin tek gjyqtarja për uljen e dënimit të Xhulio Musait në këmbim të parave.

Prokuroria i ka komunikuar akuzën të martën Vyshkës dhe tashmë do përballet me drejtësinë për akuzën, “Korrupsion pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

Të mërkurën akuzat i janë komunikuar edhe Taulant Romallarit dhe Adrea Tiranës.

Romallari akuzohet për korrupsion, ndërsa Tirana për mos kallëzim. Ndërsa këtë të enjte SPAK do i komunikojë akuzën e korrupsionit edhe avokatit Ilir Pashaj. Pas komunikimit të akuzave, pritet që dosja ndaj ish gjyqtares e personave të tjerë ti kalojë Gjykatës.

Gjyqtarja e Elbasanit Zamira Vyshka dhe avokati Ilir Pashaj, ish gjyqtar i larguar nga detyra para vetingut, u arrestuan me 22 korrik me urdhër të SPAK, me akuzën e korrupsionit me një skemë të uljes së dënimit ndaj një shtetasi kundrejt ryshfetit.

Xhulio Musaj, i dënuari për të cilin janë paguar lekët, ka qenë i dënuar për plagosje.

Familjarët kanë tentuar të korruptojnë gjyqtaren Vyshka nëpërmjet avokatit të tyre mbrojtës Ilir Pashaj , duke i ofruar 2 milionë lekë. Por pas takimit me gjyqtaren, sipas SPAK ajo ka kërkuar më shumë para.

Informacionet për këtë rast korrupsioni SPAK i ka marrë në rrugë operative dhe në sajë të përgjimeve, pasi janë sinjalizuar për këtë rast korrupsioni./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!