Massimo Moratti ka gjithmonë diçka për të thënë për Interin. Ish-presidenti i famshëm i klubit zikaltër, mbetet ende tifozi më i zjarrtë i djemve të Antonio Contes. Në prononcimin e fundit, Moratti është ndalur te Christian Eriksen, organizatori danez që nuk po preferohet më nga trajneri, teksa zbulon edhe dy goditjet që do të kishte bërë në merkato.
“Ndodh të afrosh në ekip lojtarë të talentuar, të cilët për çfarëdo arsye, karakteri ose diçka tjetër, nuk arrijnë të kenë sukses. Eriksen është i talentuar dhe po ndodh diçka e tillë. Në futboll duhet të kesh durim, por deri në një moment të caktuar. Nëse gjerat vazhdojnë në këtë mënyrë, mendoj se Interi do e shkëmbejë danezin me një lojtar tjetër.
Merkato? Unë do të investoja te N’Golo Kante, një lojtar shumë i dobishëm për Interin. Këtu bie dakord me Conten, ka shumë kampionë në qarkullim, por Kante do të ishte përforcimi ideal për Interin. Më pas do të blija Kalidou Koulibaly, mbrojtësi më i mirë në Evropë për momentin. Me këta dy lojtarë, Interi do ta fitonte kampionatin“, deklaron Moratti. /abcnews.al