Fiorentina është mposhtur një ditë më parë në shtëpi nga Lecce, ndërkohë që tifozët kanë vërshëllyer ekipin e tyre. Skuadra vjollcë nuk po kalon një moment të mirë dhe në Itali raportojnë se drejtuesit mund të largojnë trajnerin Vincenzo Montella.
Në katër ndeshjet e fundit, Fiorentina ka marrë vetëm një pikë në shtëpi ndaj Parmës, ndërkohë që është mundur Cagliari, Hellas Verona dhe Lecce mbrëmë. Këto tre disfata radhazi e kanë mbushur kupën dhe në Firence mendojnë të ndryshojnë trajner.
RIBERY – Francezi u dëmtua në ndeshjen e djeshme kundër Lecce. Ribery mori një goditje në kyçin e këmbës nga greku Panagiotis Tachtsidis dhe u desh ndërhyrja e stafit mjekësor, që e nxori nga fusha futbollistin e Fiorentina.
Në Itali raportojnë se ekziston frika për një dëmtim të rëndë për ish-lojtarin e Bayern Munich. Gjithsesi pas kontrolleve mjekësore do të mësohet shkalla e dëmtimit të Ribery, i cili është një lojtar i rëndësishëm i ekipit vjollcë. /abcnews.al