Monolog nga Erion Kristo: Dhuna është si kolesteroli, mos e ka fajin mielli?

schedule21:15 - 30 Prill, 2021

schedule 21:15 - 30 Prill, 2021

Nga Erion Kristo

Dhuna është si kolesteroli, e kemi brenda vetes. Dhuna është me keq se kovidi. Se kovidi nuk i kap të gjithë. Dhuna vret po aq sa kovidi. Vret trupat dhe shpirtrat. Dhuna është lëkurë për ne.

E kemi si gëzof. Dhuna fillon që nga boritë e makinave, te çekiçët që në pikë të mëngjesit e mbaron te fishekzjarrët e mesnatës. Dhuna merr emra të ndryshëm: disa e quajnë ndotje akustike, disa e quajnë ndotje ajri, disa e quajnë abuzim me postin, disa e quajnë cvidhosje, disa e quajnë tifozllëk.

Mirë dhuna që i bëjmë njëri-tjetrit, por ne na dhunojnë dhe të huajt. Ata vijnë në vendin tonë dhe hapen b… Me frak diplomati ata na shkërdhejnë dinjitetin. Me fjalë të buta. Ajo është dhuna më e frikshme.

Për të mos folur për arsenalet luftarake që u kapën përpara disa ditësh. Për çfarë i duhen një njeriu 20 snajpera? Demokracia është dhunë, Intelekti është dhunë, Vota është dhunë (dhunë e një pakice mbi një shumicë). Dhuna e shtetit, dhuna e kamarierit, dhuna e motoristit.

Ilaç është arti, po dhe ky ka qëlluar i dhunshëm. Ilaç është feja, po aty ekstremistët po korrin e po shijnë. Ilaç është dhe shkenca, po shikoni atë komitetin shkencor sa dhunues është.

Mos e ka fajin mielli? Mos na hedhin ndonjë gjë në miell? Apo te rakia?

Dhuna më e tmerrshme është dhuna e syrit. Syri që të shikon shtrembër. Ai të dhunon pa masë. Dhe syri është pasqyra e shpirtit.

Dhuna më e pafalshme është ajo e fëmijëve. A i keni parë ato kuckat e vogla si kapen për flokësh?

Në fakt fjala kuckë është e dhunshme. Dhunë është dhe ky monolog. Kullon dhunë si yndyra në mjekër. Nuk e marr vesh, po unë ca dreqin kam që bëj dhunë?

/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!