Monolog nga Erion Kristo:
HERONJTË!
Brehti ka thënë : Është fatkeq ai vend që ka nevojë për heronj . Shprehje shumë e bukur , për mua është fatkeq ai vend që nuk i nderon heronjtë. Ne heronjtë duhet t’i duam , t’i çmojmë, t’i respektojmë e ti nderojmë. Para se të bëjmë këtë duhet t’i njohim në radhë të parë. Është e njëjta mendje njerëzore që di emrat e qindra futbollistëve , që di përmendsh tekstet e qindra këngëve dhe nuk njeh ata njerëz që lartësojnë racën tonë, që lartësojnë kombin tonë , duke i dhënë dimensione më të larta. Po çfarë është një hero ? Heroi është ai që i jep kuptim jetës tone , është ai që bën një gjest të jashtëzakonshëm dhe përmes këtij gjesti ai hyn dhe ngelet në zemrat e njerëzve përjetë.
Nëse po më pyesni mua , unë do të kërkoja një gjë tjetër. Askujt nuk do t’i kërkoja të jepte jetën e vet , askujt nuk do t’i kërkoja të ishte një hero. Më ndryshe do të doja të ishim heronj të vegjël , pra heronj në jetën e përditshme.
Po të kemi një mësues hero, të kemi një doktor hero, të kemi njerëz që përpiqen të japin diçka më shumë nga vetja e tyre. Sepse njeriu nuk mund të jetë vetëm ha, pi edhe rri. Duhet të jetojmë një jetë ku të gjithë japim diçka më shumë dhe derisa ta kuptojmë që detyra jonë është të bëjmë më shumë sesa detyra jonë , duhet t’i lutemi zotit që kjo tokë të pjellë heronj. Të pjellë heronj që ta lartësojnë emrin dhe qytetërimin tonë. /abcnews.al/