Monolog nga Erion Kristo: Çdo popull ka qeverinë që meriton, po a zgjedhim vërtetë ne shqiptarët?

schedule21:33 - 15 Janar, 2021

schedule 21:33 - 15 Janar, 2021

Çdo popull ka qeverinë që meriton (Joseph de Maistre) – themi ne, sa herë që nuk ja dalim të kemi qeverisjen që duam. Këtë shprehje disfatiste e përdorim prej disa dekadash. Natyrisht që në demokraci, do kesh atë qeveri që zgjedh. Po a zgjedhim vërtetë ne shqiptarët? Duket se ne nuk kemi shumë mundësi për të zgjedhur.

Mekanizmat e dukshëm demokratikë janë: vota, zgjedhjet, partitë, fushatat  janë vetëm në dukje të tillë. Ata kontrollohen në mënyrë të përkryer. Të gjithë sistemet elektorale që kemi provuar, të gjithë i kemi dështuar. Nga Shqipëria, pa luftë, janë larguar mijëra njerëz. Ata janë përjashtuar. Ata nuk kanë pasur mundësi të zgjedhin. Pra, shqiptarët nuk zgjedhin dot tamam atë që duan në krye.

Asnjë popull nuk meriton të vidhet. Dhe kjo vlen edhe për popuj e kombe shumë më të mëdhenj, e shumë më të zhvilluar se sa ne. A nuk ndodhi që kombi gjerman, apo italian, apo spanjoll, apo grek, e plot të tjerë, të binin në kthetra diktatoriale? Popujt është e lehtë t’i shtypësh. Përmes mekanizmit të frikës dhe dhunës mundet që për një kohë të caktuar ta sundosh një popull. Natyrisht, jo përgjithmonë. Popujt ngrihen, kudo.

Ç’faj ka populli, i cili i jep besimin një politikani, apo një partie, dhe në fund, ky besim nëpërkëmbet. Ne duam të na qeverisin, jo të na qiverisin. Ne duam shpëtim, ndërsa ata pasurohen ndodh në kurrizin tonë.

Një rrugë shpëtimi e fuqishme është reagimi shoqëror. Ai do të sillte doemos një qeverisje më të mirë, përmes trysninë popullore. Ne ende nuk kemi arritur në shkallën e duhur të vetëdijes reaguese. Politika është treguar ekstremisht e zonja për ta minuar shpirtin rebel të popullit. Ai nuk ka besim te intelektualët, as te shoqëria civile, as te media. Besimi i tij është vrarë në mënyrë programatike, duke blerë njerëz.

E keqja që na ka zënë, nuk është përfundimtare. Ajo, si çdo e keqe, si çdo sëmundje, do bëjë të vetën dhe do zhduket. Ndërkohë duhet t’ia themi fort vetes: Ne nuk e meritojmë një qeverisje të tillë. Ne mund të vidhemi, po asnjëherë me bekimin tonë./Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!