Monolog nga Erion Kristo: A ka ardhur koha për legalizimin e prostitucionit

schedule21:35 - 12 Shkurt, 2021

schedule 21:35 - 12 Shkurt, 2021

Nuk ka ardhur koha të diskutojmë për prostitucionin, thonë shumë njerëz. Po koha për të prostituuar a ka ardhur? Po koha për t’u fshehur pas moralit, si struci që fut kokën në rërë a ka ardhur?

A e dini ju që janë mijëra njerëz të përfshirë në këtë situatë? A duhet të legalizohet prostitucioni? Shumë do thonë jo, disa do më shajnë mua. Po a duhet legalizuar hipokrizia shoqërore? Ne po sillemi me jetën dhe njerëzit si ajo zebra që po e hante luani, dhe thoshte: Bëje o Zot ëndërr. Ndërsa ne i kemi sytë te futbolli, politika dhe botokset e vipave, rreth nesh krimi po bën kërdinë. Prostitucioni ka plasur si Covid-i.

Shoferët e taksive janë bërë si postierë. Qendra e masazheve të ofrojnë masazh për çdo pjesë të trupit. Motelet që rrethojnë Tiranën, nuk është se rrinë bosh. Rreth qendrës së Tiranës punohet ditën dhe natën. Mjafton të shikoni emisionet investigative.

Raportet e ndërkombëtarëve flasin për trafikim femrash dhe shumë prostituta rrugëve të Evropës. Studentët dhe studentet punojnë në call centera dhe rënkojnë për të fituar para. Nëse të gjitha këto nuk u shqetësojnë, ndoshta do ju shqetësojnë vipat e mediave që bredhin hoteleve të shtrenjta në mbarë botën dhe marrin makina dhuratë nga kriminelë me damkë. E pra, në krye sikur nuk donit të diskutonit lidhur me prostitucionin. Por ai është aty, dhe prek shumë njerëz. A nuk shikoni sa të moshuar po vdesin në krye të detyrës me kokrra viagre në xhep?

Unë vetë nuk jam për legalizimin e prostitucionit. Po jam për diskutimin e problemeve që lidhen me të. Do të ishte një triumf i mungesës së kujdesit për të rinjtë tanë që detyrohen të zgjedhin një rrugë jo fort të lehtë e jo fort të ndershme. Po ndërsa ne gajasemi dhe zgërdhihemi, njerëzit vuajnë pasojat e zgjedhjeve të gabuara. Dhe dëmi i mbetet po shoqërisë në kurriz. Një dëm që nuk shlyhet lehtë. Prostitucioni është shtrirë thellë në shumë fusha të jetës, vetëm se ato marrin një emër tjetër. Edhe krijimi i modeleve të rreme shoqërore, është prostitucion. Madje në këtë qasje, ka më shumë moral te një prostitutë se sa të një person që prostituon shpirtin./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!