“Momenti më i vështirë në jetë, ishte viti i parë i jetesës në SHBA”, rrëfehet Vehbiu: Më dukej sikur më kishin internuar

schedule10:52 - 15 Nëntor, 2024

schedule 10:52 - 15 Nëntor, 2024

Studiuesi Ardian Vehbiu është i ftuari i radhës në emisionin “Pas Mesnate”. Ai ka bërë një rrëfim për karrierën dhe jetën e tij ndër vite.

Vehbiu u ndal veçanërisht te periudha kur u largua nga Shqipëria, të cilën e cilëson si më të vështirën. Ai tha se në fillim në Amerikë nuk e gjende veten, i dukej sikur e kishin internuar. Kjo pasi në atë kohë nuk ekzistonte ende interneti dhe ishin të izoluar.

Ndryshe nga shqiptarët e tjerë që në vitet ’90, i dukej një parajsë, studiuesi u shpreh se ai vinte nga Italia dhe Amerika nuk i bënte përshtypje, por që me kalimin e kohës u përshtat.

“Është shumë e rëndë të ikësh nga vendi jot. Ne ikëm atëherë sepse ishim shumë ngushtë. Unë kam ikur atëherë në dhjetor të ’90. E kujtoj shumë të vështirë si kohë. E para, ishte një çlirim që ti ike, sepse në Tiranë atëherë ishte shumë rëndë. Unë kam pasur një fëmijë të vogël, atëherë bebe, nuk kishim çfarë t’i jepnim. Nuk kishim qumësht, do na vdiste, ishte sëmurë, gjëra që sot më duken si përralla. Kur vajtëm në Itali, morëm frymë, sepse vajtëm në një vend që ishte normal. Unë nuk është se kisha ndonjë të ardhur të madhe, por të paktën jetonim normalisht. Pastaj, më mungonte fermenti i Shqipërisë. Kur ika në Itali, i mbaja lidhjet sepse udhëtoja shpesh. Ndërsa, Amerika ishte shumë e rëndë, sa nuk ishte hapur interneti, ishte izolim total, nuk më pëlqente fare.

Momenti më i vështirë që kam jetuar, është ai viti i parë në Neë York sepse nuk më pëlqente asgjë, më dukej sikur më kishin internuar. Më pëlqente Italia, sepse unë shkoja në Neë York nga Italia, atje ishte një dallim i madh. Ndodhesha atje me shqiptarët e tjerë që kishin ardhur nga Shqipëria, atyre i pëlqente më shumë. Mua nuk më hynte në sy asgjë, më dukej e shëmtuar. Pse? Do thuash ti. Sepse unë nuk vajta në Manhatan, vajta atje ku kanë shkuar gjithë shqiptarët në Bronz. Viti i parë ka qenë shumë i rëndë, por më pas u përmirësova, gjeta një punë, merrja një rrogë relativisht të mirë dhe fillova avash avash të përmirësohesha me kalimin e kohës”, tregoi Vehbiu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!