Moldavia pranon qindra mijëra refugjatë nga Ukraina

schedule14:55 - 29 Mars, 2022

schedule 14:55 - 29 Mars, 2022

Moldavia, një nga vendet më të varfra në Evropë, është kthyer në vendstrehim për qindra mijëra refugjatë që ikin nga sulmi rus në Ukrainë. Qeveria dhe veçanërisht shoqëria moldave është mobilizuar për të ndihmuar fqinjët e tyre. Ekipi i Zërit të Amerikës ishte në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinev.

Qindra mijëra refugjatë, shumica prej të cilëve gra dhe fëmijë, qëndrojnë përkohësisht në qendrat strehimore të qeverisë së Moldavisë gjithandej vendit.

Shumica e refugjatëve qëndrojnë atje vetëm për disa ditë, para se të nisen drejt Rumanisë ose Gjermanisë.

“Kryesisht ndihmojmë gratë me fëmijë, të moshuarit dhe njerëzit me nevoja të veçanta, përmes ndihmave sociale, mjekësore dhe psikologjike”, thotë për Zërin e Amerikës Ion Ceban, kryetar i bashkisë së Kishinevit.

Autoritetet moldave thonë se për çdo pesë banorë të Moldavisë, është një refugjat nga Ukraina. Vullnetarët tregojnë se ukrainasit kanë me vete pak gjëra, ndërsa vijnë nga situata të vështira dhe traumatike.

“Ata vijnë në një gjendje të rënduar. Gjatë rrugës kanë parë gjithçka, kufoma në rrugë, shtëpi të bombarduara. Kanë parë vdekjen me sy”, thotë Karina Sakharieva, vullnetare.

Qeveria e Moldavisë filloi përpjekjet për të ndihmuar refugjatët, ndërsa shoqëria civile përmes nismave të ndryshme po ndihmon në përballimin e krizës.

Njerëz si Gregori, ish ushtar i Moldavisë që luftoi kundër rusëve më 1993, ofroi të strehojë gjashtë familje në shtëpinë e tij, në periferi të Kishinevit. Tani ai strehon dy gra, nënë e bijë që u arratisën me vetëm nga një valixhe nga Kharkivi, një nga qytetet më të goditura nga bombardimet./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!