Moldavia nuk i jep vizë sulmuesit dardan, tërbohen te Dinamo Zagreb

schedule14:18 - 13 Gusht, 2021

schedule 14:18 - 13 Gusht, 2021

Politika vazhdon të përzihet me futbollin, dhe nga një gjë e tillë e ka pësuar Lirim Kastrati. Sulmuesi dardan, i cili numëron 14 ndeshje dhe 1 gol me përfaqësuesen e Kosovës, është pjesë e Dinamo Zagreb prej gushtit të vitit të kaluar.

Kampionët e Kroacisë do të kenë përballë Sheriff Tiraspol në fazën “play-off” të Champions League. Triumfi ndaj ekipit moldav sjell kualifikimin në grupet e Champions League, aq shumë i dëshiruar në kryeqytetin kroat.

Ndeshja e parë do të zhvillohet të martën (17 gusht, 21:00) në Tiraspol, aty ku Kastriti nuk mund të luajë. Moldavia është një nga të paktat shtete evropiane që nuk njeh Kosovën, dhe ka vendosur të mos i japë vizë hyrëse 24-vjeçarit nga Hogoshti.

Drejtuesit e Dinamos kanë bërë një kërkesë në UEFA, duke kërkuar që qeveria evropiane e futbollit të ndikojë në shtetin moldav që sulmuesi shqiptar të lejohet të marrë pjesë në këtë ndeshje kaq të rëndësishme.

Moldavia pati një problem të tillë edhe më Kosovën në duelet e Nations League, që u zhvilluan vitin e kaluar. Kombëtarja lindore zgjodhi ta luante në Italinë sfidën shtëpiake me djemtë e Bernard Challandes.

Kjo me shkakun se nuk e njeh pavarësinë e shtetit të dytë shqiptar. Ndeshja e kthimit u luajt në “Fadil Vokrri”, Kosova fitoi 1-0 dhe golin e realizoi Lirim Kastrati. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!