Gjykata në Kishinjev dënoi tre persona për pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal, i cili gjatë vitit 2024 kishte përgatitur trazira të dhunshme masive në Moldavi dhe kishte organizuar trajnime në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Sipas aktakuzës, trajnimet ishin organizuar dhe drejtuar nga persona nga Rusia, në bashkëpunim me shtetas moldavianë, me qëllim shkaktimin e trazirave në Moldavi, në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2024.
Informacionet për “kampet ruse” në Bosnje e Hercegovinë u shfaqën në tetor të vitit 2024. Atëherë, agjencitë e sigurisë së Moldavisë deklaruan se kishin identifikuar më shumë se 100 të rinj, të cilët dyshohet se ishin trajnuar në Rusi, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, për destabilizimin e vendit.
Gjykata në kryeqytetin e Moldavisë, më 6 shkurt, dënoi Aliona Gotcon dhe Ludmila Costencon me nga katër vjet e një muaj burgim, ndërsa Vladimir Harcevnicov u dënua me pesë vjet e katër muaj burgim.
Vendimi u mor në gjykatën e shkallës së parë, ndërsa të akuzuarit nuk ishin të pranishëm në shpalljen e dënimit. Gjykata urdhëroi arrestimin e tyre për t’i dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa aktgjykimi mund të ankimohet.
Në vendim thuhet se të akuzuarit kanë vepruar si pjesë e një strukture kriminale të qëndrueshme, nën koordinim nga Rusia, dhe kishin të ndara qartë rolet.
Sipas gjykatës, aktivitetet e tyre përfshinin rekrutimin e anëtarëve të rinj, mbështetje logjistike, sigurimin e pajisjeve, si dhe trajnime për veprime të dhunshme dhe destabilizuese.
Një pjesë e veçantë e aktgjykimit i referohet trajnimeve që, sipas gjetjeve të gjykatës, janë mbajtur jashtë territorit të Moldavisë, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Gjykata thekson se të akuzuarit kanë qëndruar disa herë në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë zonën e Gllamoqanit, ku kanë marrë pjesë në trajnime teorike dhe praktike.
Sipas aktgjykimit, këto trajnime përfshinin menaxhimin dhe përdorimin e avancuar të dronëve, lidhjen e tyre me qendrat komanduese, zbulimin ajror në kuadër të grupeve sulmuese, si dhe simulime të hedhjes së mjeteve shpërthyese me ndihmën e dronëve.
Përveç kësaj, në vendim thuhet se trajnimet kanë përfshirë edhe taktika për shkaktimin e panikut dhe kaosit, metoda për çarjen e kordonëve policorë, aktivitete diversant-subversive, si dhe përgatitjen e mjeteve ndezëse dhe shpërthyese.
Gjykata konstatoi se këto aktivitete ishin të lidhura drejtpërdrejt me planet për organizimin e trazirave të dhunshme në Moldavi.
Serbia përmendet në dokumentet gjyqësore si një nga vendndodhjet e qëndrimit dhe trajnimit, por edhe si vend transit në rrugën e të akuzuarve drejt Bosnje e Hercegovinës.
Në aktgjykim thuhet se koordinatori i grupit qëndronte në Rusi, nga ku u jepte udhëzime anëtarëve, ndërsa trajnimet dhe aktivitetet praktike zhvilloheshin në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Sipas gjetjeve të gjykatës, të akuzuarit udhëtonin në itinerarin Moldavi-Serbi-Bosnje e Hercegovinë, ndërsa gjatë hetimeve janë gjetur prova materiale që tregojnë qëndrimin e tyre në të dyja vendet.
Ndër to janë kartëmonedha nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, karta SIM, pajisje telekomunikimi, si dhe regjistrime digjitale të krijuara gjatë qëndrimit në kampet e trajnimit.
Gjykata në aktgjykim thekson gjithashtu se gjatë bastisjeve te të akuzuarit janë gjetur pjesë për dronë, syze VR, telekomandë, bateri, pajisje për ruajtjen e dokumenteve dhe materiale digjitale që, sipas gjykatës, dokumentojnë trajnimet dhe aktivitetet e planifikuara.
Regjistrimet digjitale përfshijnë fotografi dhe video të realizuara gjatë trajnimeve, si dhe udhëzime për përdorimin e dronëve dhe përgatitjen e mjeteve ndezëse dhe shpërthyese.
Gjatë gjykimit, të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë, duke pretenduar se nuk ishin të vetëdijshëm për karakterin penal të aktiviteteve në të cilat kishin marrë pjesë dhe se qëndrimet jashtë vendit i kishin konsideruar si angazhime private ose profesionale.
Gjykata, megjithatë, nuk i pranoi këto pretendime, duke përfunduar se provat e mbledhura tregojnë ekzistencën e një qëllimi të qartë dhe koordinimi brenda grupit kriminal.
Ngritje e aktakuzave të reja
Gjatë zhvillimit të gjykimit, Prokuroria e Moldavisë ngriti aktakuzë edhe ndaj disa personave të tjerë të lidhur me trajnimet për nxitjen e trazirave.
Po ashtu, policia në Serbi arrestoi më 26 shtator të vitit të kaluar dy persona, nën dyshimet se kishin organizuar trajnime luftarako-taktike për shtetas të Moldavisë dhe Rumanisë, me qëllim nxitjen e trazirave në Moldavi.
Arrestimet pasuan pasi autoritetet në Kishinjev paralajmëruan publikisht për ekzistencën e kampeve luftarake në Serbi, duke deklaruar se ato ishin organizuar nga shërbimi sekret rus me synim destabilizimin e Moldavisë.
Në fillim të dhjetorit të vitit 2025, Moldavia kreu rreth 50 bastisje në disa lokacione në vend dhe gjeti prova se një grup i organizuar, i trajnuar më herët në një kamp në Serbi, dyshohet se kishte planifikuar të shkaktonte trazira në Moldavi./REL


