Mogherini shuan shpresat e Netanyahut

schedule21:18 - 11 Dhjetor, 2017

schedule 21:18 - 11 Dhjetor, 2017

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme Europiane, Federika Mogerini bëri me dije se asnjë shtet i Unionit nuk do të njohë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Deklarata e saj erdhi pasi takimit me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu. Ndërsa presidenti i Komisionit Europian Zhan Klod Junker anulloi takimin me shefin e qeverisë së Tel Avivit.

“Asnjë vend i Bashkimit Europian nuk do të ndjekë shembullin e SHBA për Jeruzalemin dhe në Lindjen e Mesme zgjidhja me dy shtete është e vetmja zgjidhje reale”. Mëngjesi i kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu, me krerët e diplomacive të Unionit në Bruksel ishtë një “dush i ftohtë”. Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme Europiane, Federika Mogerini, në fund të dy orëve të një konfrontimi shumë të sinqertë dhe me raste i ashpër, ka prerë shpresat e kryeministrit të Izraelit:

Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë për Politikën e Jashtme të BE-së: “E di se NetanJahu pret që të tjerët të ndjekin vendimin e Presidentit Trump, për të lëvizur ambasadën në Jeruzalem. Ai mund të mbajë pritjet e tij për të tjerët, sepse ky veprim nuk do të vijë nga shtetet e Bashkimit Europian”.

Më tej, zyrtarja e lartë europiane tha se nuk ka nisma për paqe për të rinisur procesin në Lindjen e Mesme që mund të zhvillohet pa angazhimin e Shteteve të Bashkuara. Sipas mediave ndërkombëtare, ministrat e Jashtëm të unionit kanë pasur kritika të ashpra për kryeministrin e Izraelit. Disa zyrtarë i kanë thënë atij se si mund të mendojë që ka një mundësi për paqe kur nga ana tjetër Tel Avivi vazhdon me ndërtimet e paligjshme në tokën palestineze.

Mëngjesi informal, në të cilin morën pjesë vetëm ministrat e Unionit, ka zgjatur më shumë nga se parashikohej dhe takimi mes Netanjahut dhe presidentit të Komisionit Europian Zhan Klod Junker u anullua. Megjithatë Brukseli ka bërë me dije se takimi mes tyre nuk është zhvilluar për shkak të dëborës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!