Përfaqësuesja e BE për politikën e jashtme ishte në Tiranë, një ditë pas dhënies së rekomandimit Shqipërisënga Komisioni Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Gjatë konferencës së shtypit bashkë me kryeministrin Rama, Mogerini e cilësoi hapjen e negociatave të anëtarësimit një arritje kombëtare që nuk u përket partive, por shqiptarëve. Ndërsa Rama tha se ky vendim i Komisionit do të mbështetet nga të gjitha vendet anëtare.
Nuk është larg anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Rruga që po përshkon Shqipëria drejt hapjes së negociatave tashmë ka një rekomandim të pakushtëzuar nga Komisioni Evropian.
Semafori është i gjelbër tha Shefja për politiken e jashtme në Bashkimin Evropian Federika Mogerini.-duke hyrë me Ramën.
“Imazhi që kam është linja e nisjes së Formula 1. Semaforin e kemi në dritën e gjelbër dhe fillon gara. Por kjo është shumë e rëndësishme. Këtu fillon gara. E di që këtu flitet shumë për ata që kanë ecur më përpara e ata që kanë ecur më pak më përpara. Natyrisht që në këto vitet e fundit kemi pasur dy vende të rajonit që janë në negociata, ndërkohë që tashmë është hapur drita e gjelbër edhe për dy vende të rajonit që të nisin garën.”
Me garë përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian nënkupton se priten rezultate të mëtejshme nga procesi i vettingut si dhe finalizimi i ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, si këshilli i lartë i gjyqësorit dhe ai i prokurorisë.
Ajo çka u arrit është meritë e të gjitha forcave politike, tha Mogerini, e cila kërkon që kështu të vazhdojnë duke i lënë mënjanë ndasitë.
“Ky nuk është rezultat i njërës parti apo tjetër. Ky nuk është rezultat për qeverinë, opozitën apo një institucioni. Është një rezultat që besoj që të gjithë ata që kanë punuar gjatë dekadës së fundit për ta transformuar vendin kaq thellësisht, mund të festojnë sot. Kjo është përpjekje e shoqërisë shqiptare”.
Është dakort me këtë mesazh kryeministri Edi Rama madje ai shkon më tej shtrirjen e dorës së bashkëpunimit.
“Negociatat – këtu jam dakord me Lulzim Bashën, – shtojnë presionin mbi vendin e mbi të gjitha mbi qeverinë, për t’i bërë gjërat më thellë dhe më mirë dhe për ta çuar deri në fund një proces të nisur. Shqipëria i ka bollë nëpër Europë ata që duan t’i nxjerrin bishta dhe që nuk e kanë problem t’i vënë shkopinj nën rrota. Nuk ka kuptim që t’u bashkohet qoftë edhe një shqiptar i vetëm”
Madje edhe qëndrimin e Gjermanisë nuk e lexon si vendosje shkopinjsh në rrota. Përkundrazi.
“Meqë Federica e mbylli me Ferrari-n, unë po e filloj me Mercedes-in. Gjermania nuk është një vend skeptik për zgjerimin, përkundrazi, Gjermania është një vend kampion i projektit të Europës së Bashkuar dhe Kancelarja gjermane është në krye, prej vitesh, të një procesi ku jo rastësisht, ajo ka marrë dhe lidershipin për të shpallur një raport të ri me Ballkanin Perëndimor.
Po në të njëjtin këndvështrim prej kampioni e sheh edhe presidentin francez kryeministri Edi Rama. Deklaratës së Macroni shton edhe përgjigjen e Shqipërisë.
“Europa thellohet me veten, ne thellohemi me veten dhe ecim paralelisht, ne duke u thelluar në procesin e negociatave, ata duke u thelluar në reformonin e tyre dhe si dy forca të thelluara takohemi në momentin kur vjen dita e zgjerimit”
Rekomandimi pozitiv i progress raportit rendit një sërë pikash që Shqipëria duhet t’i shohë me kujdes. Çështja Tahiri është një prej tyre.
“Ne po presim që prokuroria të rikthehet me të paktën një provë, jo dhjetë, një provë të vetme dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda është larg, shumë larg së qeni një trupë që mund të konsiderohet e influencueshme nga cilido qoftë, përsa i përket anës së shumicës, nëse teorikisht mund të pranojmë spekulime për mundësinë e influencës”.
Dëftesa që ka marrë në duarnga komisioni evropian është ajo që vlerëson sot për sot kryeministri Edi Rama. Hapi i radhës është ulja në tryezën e bisedimeve. Kjo nuk është më në dorën e përfaqsueses së lartë Federika Mogerini. Semaforin e radhës duhet t’ja bëjnë të gjelbër Shqipërisë të gjitha anëtaret e Bashkimit Evropian në qershor. /abcnews.al