Mogherini: Gabim i madh nëse nuk hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë

schedule11:04 - 6 Korrik, 2019

schedule 11:04 - 6 Korrik, 2019

Federica Mogherini e quan gabim të madh nëse BE nuk merr vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit  me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shefja e diplomacisë europiane i bëri komentet nga Polonia ku u mbajt një samit për Ballkanin Perëndimor.

Përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini thotë se e ardhmja e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Në një intervistë për radion Europa e Lirë, nga Samiti i Poznanit në Poloni, Mogherini këmbëngul në hapjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Tiranën dhe Shkupin.

“Nëse vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk marrin vendim, sidomos për hapjen e negociatave (të anëtarësimit) me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor, mendoj se do të ishte gabim i madh”.

E pyetur në lidhje me avancimin e dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin zonja Mogherini ka qenë ndërmjetësuese gjatë mandatit të saj, shefja aktuale e politikës së jashtme së BE-së u shpreh se mbetet skeptike për sa kohë nuk ka asnjë tërheqje nga taksa e lartë ndaj mallrave serbe.

“Derisa tarifa që u ka vënë Prishtina mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, mbetet në fuqi, nuk shoh kushte për thirrjen e dialogut në nivel të lartë. Unë besoj se kjo është për keqardhje, sepse unë vërtet kam parë se elementet për marrëveshje për normalizim, ligjërisht të obligueshme, ekzistojnë”.

Federica Mogherini tha në intervistë se ka besim që edhe pasardhësi  i saj, spanjolli Jozep Borrell, do të jetë në gjendje ta menaxhojë këtë proces dialogu, me zgjuarsi, vendosmëri dhe ne respekt të pozicioneve të BE-së./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!