“Modeli im Cafu, por dua të jem Albi”, Doka: Mbajeni mend, Shqipëria shkon në Botëror

schedule08:59 - 3 Mars, 2021

schedule 08:59 - 3 Mars, 2021

Albi Doka po bën një sezon të mirë në Kroaci, ku u transferua në verë te skuadra e Goricës. Mbrojtësi i djathtë u shpall kampion vjet me Tiranën, ndërkohë që tani është edhe pjesë e kombëtares shqiptare. Emocionet e përjetuara kanë qenë të mëdha, por Doka dëshiron të shohë përpara. Ai nuk ka idhuj, por një model si Cafu dhe dëshira është të mbahet mend si ALBI DOKA. Në një intervistë për FSHF, i riu ka folur për tema të ndryshme, duke veçuar edhe momentet më të mira në karrierë deri më tani.

HAPAT E PARË NË FUTBOLL – “Thuajse si çdo fëmijë i brezit tim, kam pasur një dëshirë të madhe të luaj futboll. Duke parë shumë ndeshje në televizor, kur luaja me shokët në lagjet e Tiranës time, mundohesha që të bëja disa veprime si ato të lojtarëve që shihja aty. Rreth moshës 12-vjeçare më shumë luaja futboll në lagje se sa mësoja për shkollën, por ishte dhe është një sport që më tërheq dhe kjo është arsyeja pse unë e dua kaq shumë”.

 

KALIMI NË KROACI – “Të them të drejtën ka ndikuar realisht shumë tek unë. Te klubi i Tiranës isha shumë mirë, por Kroacia ka një tjetër nivel futbolli. Çdo shtet në fakt ka nivele të ndryshme futbolli, nuk mund të them që Shqipëria është shumë e dobët në futboll dhe Kroacia shumë lart. Përkundrazi, besoj se nëse transferohem në ndonjë kampionat tjetër europian do të them, që është më mirë se Kroacia. Po mundohem të bëj sa më mirë, por për kaq pak kohë sa jam këtu jam zhvilluar shumë dhe kam krijuar më shumë besim te vetja. Dëshira ime është që të luaj shumë dhe mirë, në mënyrë që pse jo, të transferohem në një kampionat europian më të fortë”.

FTESA DHE DEBUTIMI NË KOMBËTARE – “Nuk di si të ta shpreh atë që kam ndjerë kur mora vesh që trajneri Reja kishte vendosur të më ftonte në ekipin e parë. Është ëndërr e çdo futbollisti që të jetë pjesë e Kombëtares. Është ndryshe të kesh veshur fanellën e Kombëtares te grupmoshat dhe ndryshe të jesh pjesë e Kombëtares A. Ka qenë një moment mjaft i veçantë kur trajneri më lajmëroi se do të isha pjesë e 11-shes dhe do ta nisja ndeshjen si titullar në vëllazëroren që kishim ndaj Kosovës”.

 

ECURIA E KOMBËTARES – “Unë besoj se kjo Kombëtare do të arrijë shumë lart. Mbajeni mend këtë që po ju them. Unë e besoj që një ditë do të arrijmë të jemi pjesë e finaleve të Kupës së Botës. Jemi një grup që kemi besim, jemi një grup që jemi përmirësuar shumë, djemtë të gjithë luajnë me shpirt, përfshi edhe mua dhe do të luajmë shumë fort kundër çdo kundërshtari. Kemi një grup të mirë, këtë besoj nuk e them veç unë. Ka talent, ka frymë pozitive, ka dëshirë për të ecur përpara. Kjo Kombëtare i ka të gjitha, mendoj se, veç pak fat do të na bënte punë”.

MOMENTET MË TË BUKURA – “Nuk dua t’i ndaj nga njëra-tjetra, por për mua janë dy momente të lumtura: Tirana u shpall kampione e Shqipërisë dhe unë pata nderin e madh të kontribuoj në skuadër dhe kur debutova me Kombëtaren A më 11 nëntor”.

 

MODELI – “Nuk është se kam ndonjë idhull, ose që ndjek dhe them dua të bëhem si ky apo si ai. Normalisht që ka lojtarë që më pëlqejnë si model, madje Cafu është ndër të preferuarit e mi, por idhuj jo. Unë dua të jem Doka, të luaj si Doka dhe të mbetem në mendjet e njerëzve si Doka. Uroj të kem fatin të luaj dhe të bëj mirë si me Kombëtaren si me klubet, në mënyrë që të mbahem mend vërtetë si Albi Doka!”, përfundon Doka. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!