Kritika dhe ironi për fanellën e re të Barcelonës. Tifozët sulmuan ashpër klubin katalanas, duke e akuzuar se po shkatërron traditën.
Mënyra e prezantimit ishte vërtet e bukur, por nuk i fshehu problemet. Klubi i Barcelonës u përpoq të përfshinte të gjithë qytetin në videon e paraqitjes së fanellës së re për sezonin e ardhshëm, veçse si përgjigje pati kritika dhe ironi.
Nuk bëri punë fakti që bluza në videon reklamuese u vesh nga qytetarë të profesioneve të ndryshme, apo që në trup e patën yjet e mëdhenj blaugrana. Një tallje kuptimplotë erdhi nga Federata Kroate e Futbollit.
“Përpjekje dhe ide e bukur, – shkruhej në mesazhin kroat në Twitter, – por, kjo nuk mund t’ia kalojë dot fanelës sonë bardhekuqe me kuadrata”.
Kroatët goditën në shenjë pasi ngjashmëria e dy bluzave është tepër e dukshme. Pakënaqësi e madhe edhe nga një pjesë e tifozëve, që sulmuan klubin për idenë që pati, për ta bërë uniformën me kuadrata.
“Ju po shkatërroni uniformën historike”, shkruante një përkrahës në Twitter.
“Më përdorni si buton kompjuteri mospëlqimi”, – protestoi një tjetër.
“Fshijeni”, – ishte fjala e vetme kundërshtuese e tifozit të emërtuar Kevin Merçant.
“Kjo është e papranueshme, kjo është turpëruese”, – vazhdoi një tjetër.
Fanella e re ka të njëjtat ngjyra historike të katalanasve, por konceptimi i saj është krejtësisht i ndryshëm nga uniformat tradicionale, që kanë qenë me vija, dhe jo me kuadrata./ABC News Albania 24/7