Mocioni me debat për ndihmën ekonomike e ndryshimet kushtetuese

schedule14:34 - 14 Mars, 2018

schedule 14:34 - 14 Mars, 2018

E paracaktuar për datën 15 mars prej dy javësh për shkak të axhendës së kryeministrit, mocioni me debat i kërkuar nga demokratët me kryeministrin Edi Rama, zë vendin e parë në rendin e ditës për seancën plenare të së enjtes. Objekt i kërkesës së përpiluar nga kreu i grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho, është heqja nga skema e ndihmës ekonomike të mbi 20 mijë familjeve në nevojë. Bazuar në nenin 98 të rregullores së Kuvendit, kërkesa për mocion me debat mund të shoqërohet edhe me një project-rezolutë e cila në fund të debatit hidhet në votim. Por duket se demokratët nuk kanë zgjedhur të paraqesin një propozim të tillë, i cili do të kërkonte votën e shumicës së deputetëve të pranishëm në sallë.

Zhvillimi i mocionit në seancë plenare përfshin debatin e përgjithshëm i cili, i paracaktuar në Konferencën e Kryetarëve sipas rregullores ndahet në mënyrë përpjestimore mes grupeve të përfaqësimit politik në Kuvend. Kështu 5 orë në debat janë parashikuar për folësit e partisë socialsite, 3 orë për demokratët dhe 1 orë për Lëvizjen Socialsite për Integrim.

Si u bë e dukshme pas mbledhjes së grupeve parlamentare respektive ditën e hënë, demokratët do sjellin në Kuvend historitë e më të pamundurve.

Në anën tjetër selia rozë e shpalli hapur lejtmotivin e së enjtes, i cili shtyn edhe më tej historinë e financimit rus të Partisë Demokratike.  Edhe pas nisjes së hetimit për kontratat e lobimit të demokratëve, socialistët nuk i rralluan thirrjet ndaj organit të prokurorisë.

Ndryshimet kushtetuese sa i përket Prokurorit të Përgjithshëm janë një tjetër çështje që do të sjellë debat në foltoren e parlamentit. Projektligji, i propozuar nga demokratët, kërkon 2/3 e votave për miratim. Ne mbledhjen e këshillit të legjislacionit dhe komisionit të ligjeve, mazhoranca e rrëzoi me 8 vota propozimin, i cili si rregull i kalon seancës plenare për votim. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!