Prej pesë ditësh, Policia Bashkiake dhe ajo e Shtetit nisën aksionin e bllokimit të makinave me targa të huaja.
Kjo për shkak se këto mjete bëheshin pengesë për kalimin e makinave e të këmbësorëve, sidomos gjatë muajit dhjetor kur fluksi i emigrantëve që vijnë në vendin tonë sa vjen e shtohet.
ABC mëson se gjatë këtyre ditëve janë afro 100 makina me targa të huaja që janë gjobitur dhe bllokuar nga policia. Ato janë konstatuar të parguara në mënyrë të parregullt, në vendet e taksive, në stacionet e autobusëve apo parkingjet publike me pagesë.
Bllokimi i këtyre mjeteve bëhet për shkak se pronësia e tyre nuk është e regjistruar në sistem. Sapo pronarët paguajnë gjobën e vendosur, mjetet lirohen. Sipas planit të masave, makinat e parkuara në mënyrë të parregullt u vendoset bllokues gome ose tërhiqen me karrotrec, për në pikat e bllokimit.
Në rastin kur ka vetëm bllokues gome, gjoba varion nga 1-3 mijë lekë të reja. Kur mjeti tërhiqet me karrotrec, përveç kësaj mase, shoferi duhet të paguajë edhe gjobën shtesë prej 4 mijë lekësh të reja.
Gjobë kanë marrë edhe makinat me targa prove, si dhe mjetet me targa të rregullta shqiptare, që parkohen në mënyrë të parregullt. Nga ky aksion, nuk përjashtohen as mjetet e parkuara e që kanë tabelën “Shitet”, apo ato të dëmtuara të parkuara anës rrugës. /abcnews.al/