Mjeshtri që bën simbole/ Artizani nga Vlora e ushtron këtë profesion prej 43 vitesh

schedule20:24 - 1 Prill, 2023

schedule 20:24 - 1 Prill, 2023

Ai është argjendari më i njohur në qytetin e Vlorës. Bexhet Rrapin e gjen çdo ditë duke punuar në punishten e tij të vogël në lagjen “Albano Dhe Romina”. Pasioni dhe dhuntia e tij është puna me argjend dhe flori, për të cilën thotë se duhet shumë imagjinatë dhe durim.

“Për një kohë të gjatë kam qenë unë. Tani janë 4. Jam veterani i Vlorës që punoj akoma. Është një pasion, sa më shumë ikin vitet aq më shumë lidhem me të”, thotë ai.

I pëlqen të veçojë disa nga punët e tij. Një ndër to është edhe punimi i një medaljoni me simbolet kombëtare.

“Kemi bërë shqiponjën në flori, nga një shqiptare e larguar. Kam bërë kryqin. Byzylyk me emrat e tyre”, shtoi ai.

63 vjeçari na tregon disa momente nga puna e tij para viteve ‘90.

“Më ndihmoi shkolla e axhuterisë. Aplikova dhe dola fitues. Bëheshin punime në flori dhe argjend. Atë kohë bëheshin punime të vështira me derdhje, me stampime. Riparime të ndryshme. Bënim punime me materialet e klientit se shteti nuk na lejonte të punonim privatisht. Nëse bëheshin punime dhe klienti shënohej me karat të lartë. Bëheshin menjëherë verifikime. Personi që kishte sjellë porosinë verifikohej. Nuk kishte dyqan për tregti.”, thekson Bexheti.

Gjatë punës së tij ka pasur edhe situata të sikletshme dhe të vështira. Një ndër to është ai gjatë punës së tij shumë vjeçare. Rrapi tregon se ka pasur raste që i është dashur të ndihmojë klientët të heqin nga gishti unazat.

“Kemi pasur raste shumë të vështira që ndodhin nga heqja e unazës nga gishti. Është dashur ndërhyrja jonë. Ka qenë një ditë e vështirë që njërit i është hequr unaza me gurë freksibël dhe ujë. Unazat janë shumë të vështira për t’i hequr”, thekson ai.

Përpos bizhuterive, ai i është përshtatur tregut duke riparuar dhe syze dhe ora.

“Pas përfundimit të sistemit, filluam të punojmë privatisht. Morëm një dyqan me qira. Tani e kam timin. Bëj riparime, argjendi, flori dhe syzet.

Në gjithë Vlorën nuk janë më shumë se 4 riparues të bizhuterive. Ndaj Bexheti u bën thirrje të rinjve që të mos i neglizhojnë edhe këto lloj zanatesh./abcnews.al