Në Tiranë e njohin të gjithë si mjeshtri i biçikletave.
Prej më shumë se 30 vitesh, Gëzim Guraja çdo ditë e kalon duke riparuar dyrrotëshat.
Zanatin nuk e trashëgoi nga askush, por pasionin për biçikletat e kishte të hershëm, ndonëse gjatë diktaturës nuk mundi ta ushtronte si profesion.
Menjëherë pas ndryshimit te sistemit, Gëzimi hoqi dorë nga puna e tij në ujësjellës dhe nisi fillimisht tregtimin e biçikletave. Që aty nisën hapat e parë drejt mësimit të zanatit.
Synonte të mos ishte thjesht një tregtar, por biçikletat e dëmtuara t’i riparonte dhe t’i kthente sërish në funksionale.
“I merrja në Itali, por e pashë që nuk kisha perspektivë dhe fillova në breg të Lanës me një kasolle. E kam filluar me dy kamerdare.”
Zanati që iu kthye në të përjetshëm ia trashëgoi si profesion edhe të birit shumë vite më vonë.
“Dëshira ime nuk ishte, kishte qejf vetë ai dhe e mora unë. Ai vetë nuk e mban dot se është shumë punë e rëndë kjo.”
Gëzimi është 69 vjeç, prej 4 vitesh është pensionist, por nuk mungon asnjë ditë në punishten e tij pranë pazarit të ri në kryeqytet. Punën e nis herët në mëngjes dhe e mbyll në mbrëmje vonë. Ditët e pushimit janë shumë të rralla për të, por thotë se është ende herët të dorëzohet.
“Do të vazhdoj të punoj sa të kem forcë se ndihmoj djalin, s’ka kush e ndihmon atë, nuk punon njeri këtu.”
Zanati që siguroi të ardhurat e vetme për familjen, i mësoi çdo detaj të biçikletës. Nëpër duar ka kaluar me mijëra biçikleta.
“Duket si e thjeshtë por ka shumë detaje. Duke filluar nga kopertonat, gominat. Këtë thurje e bëj për 9 minuta.”
“Biçikleta është në varësi të peshës që ka edhe cilësia. Kjo ka ardhur nga Zvicra, e kam dhuratë.”
Biçikletat qe prodhohen vitet e fundit kanë evoluar, ndërsa 69-vjeçari kujton se dikur ishin më të vështira për t’u riparuar.
“Kinezet e mëdhaja. Janë të rralla tani, nuk përdoren më, por janë më të vështirat për t’u riparuar”.
Ndërsa jetën e ka të lidhur më riparimin e tyre, për Gëzimin biçikleta është mjeti më i mirë për të lëvizur.
“Brezi jonë i preferon shumë biçikletat. Këta të rinjtë për aventura shikojnë gjithmonë ato të shtrenjtat dhe ngelin në klasë pastaj. Biçikletat janë më të mirat. Unë me biçikletë. Unë makinë nuk përdor, deri në 10 km edhe në këmbë i bën jo me biçikletë. Këtu përdorin makinë çdo 10 metra.”
69-vjeçari nuk emigroi asnjëherë dhe për këtë nuk është penduar kurrë. Jeta e mësoi se me punë arrihet gjithçka.
“Për çfarë t’a dua emigrimin, puna është këtu. Ku ka më e pasur se Shqipërie…”
/abcnews.al