Mjeku që ndryshoi karrierën e Messit shpreson që Argjentina të dështojë në Kupën e Botës

schedule21:30 - 21 Nëntor, 2022

schedule 21:30 - 21 Nëntor, 2022

Mjeku i Messit, Diego Schwarzstein, ka thënë se dëshiron që Argjentina të humbasë të gjitha ndeshjet e saj në Kupën e Botës.

Schwarzstein luajti një rol jetik në karrierën e Leos. Pasi u diagnostikua me mungesë të hormonit të rritjes, ishte Schwarzstein ai që e trajtoi. Katër vjet pas bashkëpunimit të tyre, Messi nënshkroi me Barcelonën dhe, përpara se të transferohej në Spanjë, lojtari i dha mjekut të tij një fanellë të Newell’s Old Boys me mbishkrimin “Për Diegon, me dashuri nga Leo Messi”.

Pavarësisht se Messi është bërë yll botëror, ai nuk e ka harruar ish-mjekun e tij dhe ruan një marrëdhënie të ngushtë me të.

Megjithatë, pavarësisht miqësisë së tyre, Schwarzstein pranoi se ai nuk donte që Argjentina të kishte sukses në Kupën e Botës. Në një intervistë për The Times, ai tha:

“Si një tifoz futbolli, do të doja që Argjentina të bëhej kampione. Si shtetas i Argjentinës, si person, do të doja që ata të humbnin të tre ndeshjet dhe të eliminoheshin në turin e parë. Pse? Jam i bindur se kjo qeveri e turpshme populiste që kemi do të përfitojë nga suksesi i Argjentinës në Kupën e Botës për të maskuar situatën në vend.

Ata mund të shpallin një zhvlerësim të monedhës në ditën e lojës së ekipit, kur askush nuk do t’i kushtojë vëmendje.

Kam kaluar shumë kriza në këtë vend, por kjo është më e keqja. Shifrat e qeverisë thonë se për të mos qenë i varfër, duhet të fitosh 120,000 pesos argjentinase në muaj (rreth 650 dollarë), por paga minimale është 60,000 pesos, kështu që edhe ata që kanë një punë janë të varfër”. /G.D abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!