Mjeku: Pandemia drejt fundit, por virusi do të jetojë me ne

schedule11:39 - 4 Shkurt, 2022

schedule 11:39 - 4 Shkurt, 2022

Shumë vende kanë nisur heqjen e kufizimeve në kuadër të pandemisë. Duket se edhe shteti fqinj, Greqia është në të njëjtën rrugë.

Në një intervistë për ABC Live me Sibora Bitrin, Luan Zyka, biogenetist në Selanik foli për situatën atje.  Zyka tha se virusi është drejt fundit, por jo zhdukjes. Sipas tij varianti i ri “Omicron” është dobësuar, ndërsa virusi tashmë do të bëhet pjesë e jetës sonë.

“Edhe pse janë mbi 100 viktima çdo ditë, edhe pse ka mbi 600 të intubuar në spitale, por janë të gjitha pasoja të një muaji më parë. Në të gjithë Evropën shikohet një rënie e infektimeve. Si duket varianti i ri nuk është më i rëndë. Edhe në Greqi vihet re kjo. Covid është në rënien  e vet, por jo në zhdukje. Pak nga pak virusi do të bëhet pjesë e jetës sonë, por duke mos shkaktuar infeksione të rënda.

Asnjë nuk e di çfarë do të bëhet, por logjika deri tani tregon që mutacione natyrisht që do të ketë, por virusi si duket është drejt fundit të efektit të tij.

Siç kemi shumë gripe gjatë dimrit, kjo do të jetë edhe ecuria e këtij virusi. Që do të thotë se nuk do të jetë kaq i rrezikshëm për sistemin e frymëmarrjes. Pra po bie forca e tij agresive në trup. Do të jetë si gjithë llojet e tjera të viruseve që jetojnë në trupin e njeriut. Ky virus na dha një mësim të madh. Virusi do të jetojë me ne”, u shpreh ai. g.v/abcnews.al