Mjeku: Ndryshoni urgjentisht protokollet anti-COVID, kujdes këto ilaçe, mund të jenë vdekjeprurëse

schedule19:36 - 5 Mars, 2021

schedule 19:36 - 5 Mars, 2021

Drilon Çupi, specialist i mjekësisë dhe urgjencës në Gjermani që ndodhet në vijën e parë të rrezikut në betejën me koronavirusin në një intervistë me gazetaren Jonida Shehu në Radarin Informativ në ABC u shpreh se protokollet e mjekimit anti-covid në Shqipëri duhet të ndryshohen.

Në përcaktimin e protokolleve ka pasur konfuzion. Protokolli i Shqipërisë ka nevojë urgjente për ndryshim dhe update. Protokolli duhet të hartohet nga ekspertët. Duhet një rifreskim për trajtimin ambulator dhe spitalor” tha ai.

Më tej, ai tha se Shqipëria nuk ka nevojë të shpikë, por vetëm të huazojë në rregull. “Shqipëria nuk pritet që të bëjë kërkime shkencore, terapitë janë gati, mjafton që ministria të marrë protokollet e vendeve më të zhvilluara ti njësojë.

Unë dhe disa mjekë kemi që gjatë gjithë vitit kontribuojmë vullnetarisht nuk kërkojmë asnjë përfitim financiar, jemi gati të bashkëpunojmë për hartimin e një protokolli ekzakt, të zbatueshëm dhe praktik për të gjithë mjekët e Shqipërisë.

Urat lidhëse, unë personalisht i kam pasur, por për trajnimin online problemi ka qenë që aktualizimi dhe saktësimi i protokollit që është në Shqipëri, që nuk është pranuar dhe kjo bëhet fjalë që nga muaji nëntor dhe nuk ka pasur një urë lidhëse nga kanal zyrtar” tha ai.

Mjeku u bëri apel shqiptarëve që të mos përdorin këto ilaçe pa rekomandim. “Ka mbi trajtime, abuzime me përdorimin e antibiotikëve dhe anti-viralëve. Protokolli duhet të ketë fuqi ligjore, nëse pacienti me mjekun ka konflikt juridik, ka një referencë zyrtare kush ka të drejtë dhe kush ka gabuar. Kortizonikët jepen vetëm në trajtimin spitalor, nuk i japin mjekët e familjes.

Përdorimi i tyre është shumë i rrezikshëm. Kortizonikët frenojnë sistemin imunitar dhe organizimi është më i rrezikuar nga covid dhe viruse të tjera, prandaj duhet të përdoret vetëm kur plotësohen kriteret.

Antibiotikët janë të rrezikshëm pasi me kalimin e kohës krijojnë rezistencë ndaj baktereve të tjerë, shkatërron edhe mikrobet e “mira” që jetojnë në rrugët e aparatit tretës që na ndihmojnë për tretjen dhe jashtëqitjen.

Anti-viralët mund të krijojnë reaksion alergjik vdekjeprurës, mund të krijohen dëmtime në mëlçi dhe veshka. Kjo është edhe për holluesit e gjakut, mos i përdorni pa miratimin e mjekut mund të sjellë hemorragji, gjakderdhje” tha ai.

Në fund mjeku tregoi edhe pasojat që lë COVID-19 për ata që e kanë kaluar në gjendje të rëndë.

COVID lë pasoja te pacientët që janë në stadin kritik, në oksigjen, këta pacientë rreth një vit pas sëmundjes kanë pasur debulesë, mosmbushje mirë me frymë edhe pse pulmonet kanë qenë në rregull, por nga ana funksionale ka pasur çrregullim. Trajtimi më i mirë është parandalimi” përfundoi ai.  / db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!