Mjeku Albert Troci sqaron se cilat janë 3 T-të e rëndësishme për të kontrolluar pandeminë

schedule22:46 - 13 Maj, 2020

schedule 22:46 - 13 Maj, 2020

Mjeku shqiptar Albert Troci i cili punon në Milano në bisedën e  zhvilluar në ABC News me gazetaren Juli Xhokaxhi foli për situatën epidemike nga koronavirusi në Itali e cila ditët e fundit ka marrë kthesë pozitive.

“Numrat janë relativisht pozitiv, edhe pse sot kemi patur pak më shumë se 190 të vdekur. Numri i pacientëve që janë shëruar dhe kanë kaluar Covidin është më i lartë, edhe në spitalet ku punojmë po mundohemi të riorientojnë repartet. Kemi kaluar lock down drastik. Ky virus ka sjellje atipike sidomos në pacientë asimptomatikë dhe mund të shfaqet më vonë, ndërkohë që të rinjtë e infektuar  nuk kalojnë në terapi intensive për fat të mirë. Drejtuesit e OBSH besohet se duhet të bashkëjetojmë me situatën e virusit për një kohë të gjatë. Është frika e valës së dytë, hipoteza e të cilës varet nga rastet e shkuara siç ishte ajo e gripit spanjoll”, tha Troci.

Në lidhje me fillesat e qarkullimit të koronavirusit në vende të ndryshme, Troci sqaroi se Covid mund të ketë qarkulluar më herët dhe padituria dhe hezitimi bënë që Kina të deklaronte disa ditë më vonë për ekzistencën e këtij virusi.

“Nga ana semantike mund të ketë qarkulluar më parë por nuk do na ndryshonte pikëpamjen globale të virusit. Pandemia e gjeti si anën politike si anën mjekësore të papërgatitura, besohet se rasti i parë është deklaruar në 31 dhjetor dhe Kina e ka deklaruar në 7 janar. Mendohet se ditët e para kanë patur pak presione për ta deklaruar, në fillim nuk dihej nëse virusi transmetohej nga njeriu tek njeriu, sigurisht që gabime janë bërë pasi të gjithë janë gjendur në padituri”, tha ai.

Në lidhje me testin serologjik nëse bërja në masë në popullatë do të mund të kuptohet për situatën reale të imunitetit, mjeku Troci tha se është tepër i rëndësishëm për tu realizuar në masë të gjerë pasi kjo do të ndihmojë në hartimin e politikave shëndetësore që të kontrollojnë epideminë.

“Kjo është diçka shumë e rëndësishme, 3 t-të kryesore Testing (testimi), Tracing (gjurmimi) and Treatment (trajtimi), duhet të ndiqen nga të gjithë vendet sigurisht edhe me masat e distancimit social. Ky test është i rëndësishëm për tu parë çfarë penetrimi ka patur virusi në popullsi, sidomos në vendet që kanë pasur endemi të madhe. Duke u bërë ky test ndihmon për të drejtuar politikat shëndetësore, më pas shihen zonat që mund të jenë më të rrezikshme për tu pasur kujdes i shtuar. Këto duhet të jenë 3 pikat e rëndësishme në kontrollin e pandemisë”, deklaroi mjeku./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!