Mjekja rrëfen sfidën e vështirë: U infektova me COVID një ditë para se të operoja pacienten

schedule23:05 - 30 Dhjetor, 2021

schedule 23:05 - 30 Dhjetor, 2021

Lindita Shosha kirurge në “Spitalin Amerikan 1”, foli në “Log.” në ABC për përballjen me vështirësitë e hasura gjatë këtij viti për shkak të pandemisë. Shosha tregoi rastin e një pacienteje që do operohej prej saj, në një kohë kur ajo u infektua me COVID duke bërë që ndërhyrja të shtyhej për dy javë pasi pacientja nuk kishte pranuar të operohej nga asnjë mjek tjetër.

“2020 dhe 2021 kanë pasur një fluks rastesh dhe sfida të vërteta. Do përmend një rast që ishte një tumor i barkut dhe e kisha shtruar dhe do ta operoja ditën e martë. Të hënën unë diagnostifikohem me COVID dhe u desh të karantinohesha unë dhe familja ime. Në këtë situatë u detyrova t’i thoja pacientes që nuk të operoj dot. Pacientja nuk pranoi të operohej, doli nga spitali. Pas dy javësh unë e operova. Sot gëzon shëndet të mirë. Kemi mbetur miq të mirë. Ky është një rast që lidhet direkt me situatën e COVID”, deklaroi ajo.

Shosha u shpreh se janë detyruar të qëndrojnë në krye të detyrës pavarësisht anëve të panjohura të sëmundjes së COVID.

“Është një përballje me diçka të panjohur. Unë gjej rastin të përshëndes mjekët infeksionistë që kanë qenë në krye të detyrës kundër COVID. Trupi i njeriut nuk ka vetëm COVID. Njerëzit vuajnë nga sëmundja të ndryshme. Në një emision që kemi bërë këtu në ABC kam kërkuar të jepej një leje e veçantë për arsye shëndetësore për pacientë të prekur nga COVID që duhet të vizitohen për sëmundje të tjera. Struktura mori masa që të ishim të pajisur me gjithçka për mbrojtje maksimale. Ne kemi ndenjur vetëm dy javë pushim. E gjithë struktura ka qenë e hapur”, tha Shosha.

Një anë mjaft prekëse e kësaj pandemia është edhe humbja e njerëzve më të afërt. Shosha tha se kjo është një dhimbje akoma shumë e freksët ndërsa nënvizoi edhe pasojat që lë pandemia te pacientët e prekur.

“2021 më ka marrë shumë të afërm të familjes sime që nuk jetojnë më nga COVID. Është një dhimbje që është akoma shumë e freskët për familjarët e mi dhe për mua. Këto dy vite kanë lënë plagë të thella në shoqërinë shqiptare. Nuk besoj se COVID do zhduket në vitin 2022. Do kemi post COVID. Ne kemi bërë një kalendar të ngjeshëm konferencash që lidhin specialistikën e organizimit me COVID. Dhe kemi parë që dëmet që ka bërë COVID janë shumë të mëdha. Urojmë që së paku të minimizohet vdekjet. Sa më pak probleme të shëndetit të tyre”, u shpreh ajo. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!