Mjekja kirurge Iida Shosha prezanton pasionin për pikturën me ekspozitën “Colours of Life”

schedule17:56 - 23 Gusht, 2022

schedule 17:56 - 23 Gusht, 2022

Lida Shosha, në profesion është mjeke kirurge, mjekësia është investimi madhor i jetës saj, por kësaj here ajo ndan me publikun një anë të panjohur që është piktura .

“Jam thjesht një amatore e magjepsur pas ngjyrave që mund të harxhoj orët e natës për të dëgjuar shpirtin dhe orët e ditës për të shëruar njerëzit në nevojë”.

Kirurgjia dhe piktura, bisturia dhe peneli ndonëse janë diametralisht të kundërta, i bashkon dashuria për jetën, njeriun dhe aftësia për të përmirësuar dhimbjen njerëzore. Piktura i lindi si një shpërthim në shpirti për të derdhur emocionet e forta që përjeton një kirurg në sfidat e mëdha që ka me njerëzit, që u besojnë jetën duarve të saj.

Lidhja e saj me ngjyrat është e pashpjegueshme dhe e fortë për të shprehur grimcat e emocionit që arti përcjell tek ajo.

 “Ngjyrat e bëjnë botën një vend më të gëzueshëm, influencojnë  fuqishëm shpirtin njerëzor. Jeta është si një telajo shumë e madhe dhe duhen vite për ta mbushur, zbukuruar. Hidhni në të të gjitha ngjyrat e mundshme,  ju jeni artisti i jetës suaj”.

Piktura është një emocion që udhëton në hapësirë dhe ne kohë, në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen, nuk njeh kufi, është rrugëtimi i një shpirti të lirë. Besoj që arti transmeton gëzim, ndryshon mendjen dhe zemrën me magjinë dhe entuziazmin e tij. Arti ka fuqi të transformojë, të ndriçojë, të edukojë, të inspirojë, të frymëzojë dhe të motivojë shoqërinë njerëzore. Arti nuk është çfarë ne shohim, është çfarë ne ndjejmë, dhe në vetvete ka një forcë shëruese, është shpresë dhe kurajo për të kapërcyer vështirësitë në jetë. Çdo njeri që ka art në shpirtin e tij, arrin ta shohë jetën me të gjitha ngjyrat e saj.

“Për mua piktura është pasioni, kreativiteti dhe zemra që rrahin së bashku!” /abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!