Mjeket, të shqetësuar për variantin e ri të Covid: U bë shumë shpejt dominant në vatër

schedule16:16 - 30 Nëntor, 2021

schedule 16:16 - 30 Nëntor, 2021

Varianti i ri i koronvirusit ka bërë që një numër i madh vendesh të botë të marrin masa paraprake për t’i paraprirë mundësisë që ky lloj i ri mund të jetë më “problematik” se Delta. Megjithatë, mjekët thonë se është ende herët për të dalë në përfundime.

Për mjekun shqiptar në Britaninë e Madhe Ardian Fandi, primare është që të vaksinohen ata që nuk janë vaksinuar ende.

“Ka tre muaj që është lokalizuar varianti i ri. Ka infektueshmëri të rritur, por për momentin nuk ka raste më shumë virulente sesa Delta. Prek edhe ata që e kanë bërë vaksinën,” tha ai në një lidhje direkte me ABC Live me Juli Xhokaxhi.

Kurse për  Blin Nagavci shqetësues është fakti që varianti “Omicron” ka 30 mutacione.

“Mutacionet janë në proteinën spike, proteina që targetohet nga vaksina. Këto mutacione në numër të madh janë shqetësues. Ka dyshime që mund të ndryshojë shkalla e transmetimit, ka risk që të jetë më virulent ose edhe më rezistent ndaj mbrojtjes imunitare qoftë asaj natyrale, qoftë asaj që fitohet nga vaksinimi.”

Por përse “vatra” e këtij lloji të ri të virusit është pikërisht Afrika e Jugut?

Nagavci shpjegon se mund të kemi të bëjmë me një përshtatje të virusit, ose thjesht në këtë vend janë krijuar kushtet e duhura për lindjen e një varianti të tillë.

“Për momentin nuk po përhapet Covid-i në Afrikë për shkak të këtij varianti, por vendi është në valën e re të virusit. Qëndron shumë prapa Evropës, ka një numër të vogël të vaksinuarish, kjo i jep një mundësi virusit që të përhapet.”

I pyetur nëse “Omicron” mund të vijojë të ekzistojë bashkë me variantin Delta, mjeku shpjegon se kjo mund të ndodhë në zona të veçuara, por në tërësi varianti më i “fortë” është ai që bëhet dominues.

Për t’u shqetësuar, sipas tij, është fakti që ky lloj i virusit është bërë dominant në një provincë të Afrikës në një kohë rekord. /abcnews.al/