Mjekët njoftuan policinë, si u arrestua në spital Agim Kajmaku

schedule11:13 - 7 Korrik, 2020

schedule 11:13 - 7 Korrik, 2020

Pas një kohe të gjatë në arrati, ish kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është arrestuar nga policia. Ish kreu i bashkisë është arrestuar në një spital privat në Tiranë.

Gazetarja Xhensila Kodra raporton për abcnews.al se Kajmaku është shtruar mbrëmë në spitalin “Continental” për shkak të komplikacioneve me shëndetin.

Mësohet se ish-kryebashkiaku vuan nga zemra dhe diabeti. Vendimi i arrestimit i është komunikuar në spital, ndërsa Kajmaku do vijojë të jetë i shtruar.

Ka qenë stafi mjekësor i spitalit që ka njoftuar policinë për shtrimin e Kajmakut. Pasi morën informacion një patrullë e komisariatit nr.1 ka mbërritur e para në ambientet e spitali. Më pas te spitali “Continental” kanë shkuar edhe efektivë të Drejtorisë Vendore dhe i kanë komunikuar atij masën e sigurisë “arrest me burg” nga gjykata.

LEXO EDHE: Policia jep detajet për arrestimin e Agim Kajmakut

Ish-kryebashkiaku i Vorës  u shpall në kërkim në kërkim nga policia në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa u shkarkua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi u denoncua nga PD se kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit, dënimin në shtetin grek, për falsifikim dokumentesh.

Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në këkrim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.

Pikërisht fshehja e këtij fakti çoi në shkarkimin e tij dhe nisjen e hetimeve. Prokuroria firmosi urdhër-arrestin për Kajmakun më 11 nëntor të vitit të kaluar por që atëherë Kajmaku nuk u duk më, duke i shpëtuar për muaj me radhë uniformave blu.

Prokuroria e akuzon Kajmakun për tre vepra penale, “Falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve zyrtarë” si dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies së tij”. Gjykata ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg”.

Kajmaku u zgjodh në krye të bashkisë së Vorës ne zgjedhjet e 30 qershorit të vitit të kaluar, ndërsa që prej nëntorit të 2019 ishte në arrati. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!