Mjekët në protestë: Bluzat e bardha s’mund të mbahen në birucë me ata që vrasin, pa prova

schedule09:26 - 9 Korrik, 2021

schedule 09:26 - 9 Korrik, 2021

Mjekët e Spitalit të Traumës kanë vijuar protestën në ditën e dytë të saj për arrestimin e dy kolegëve të tyre që akuzohen se kanë marrë ryshfet për operimin e një prej të plagosurve në masakrën e Velipojës. Në një deklaratë për mediat mjeku i njohur Gent Stroni deklaroi se mjekët nuk mund të mbahen në burg deri në momentin e gjetjes së provave për dënimin e tyre, duke theksuar se nuk mund të mbahen në një birucë ata që vrasin dhe ata që shërojnë, për sa kohë nuk është provuar ende akuza ndaj tyre.

“Pas kësaj marrja apo dhënia e mendimeve individuale e secilit prej nesh nuk përbën pjesë të sindikatës. Gjatë ditës së djeshme ka pasur mendime të ndryshme. Ne jemi zyrtarisht këtu me deklaratën që ne kemi. Me qëllim që të mos ketë keqinterpretime të publikut. Sindikata po bën një punë për të bërë të mundur ndërgjegjësimin në qytetet të tjerë. Duam të tregojmë që deri në momentin e gjetjes së provave mjekët të mos qëndrojnë në burg.

Nuk janë kriminelë. Nuk mund të qëndrojë në të njëjtën birucë edhe ai që e ka vrarë personin edhe ai që e shëron. Ne marrim mendime të anëtarësisë. Vendimi do jetë kolegjial. Kjo do jetë hap pas hapi. Ne dje u mblodhëm për të vetmin fakt që të solidarizohemi me ata mjekë që në mënyrë abuzive të mbahen në burg. Ne u mblodhëm për të vetmen gjë, një përkrahje dhe zgjidhjen e problemit”, theksoi ai.

Stroni deklaroi se pas kësaj situate mjekët ndodhen në terror ndërsa takimet e tyre për t’u shpjeguar familjarëve se çfarë ka ndodhur me pacientin gjatë operacionit, po shihen me paragjykim, duke u konsideruar medoemos akt korruptiv.

Ndalur tek kushtet në të cilat punojnë mjekët në Shqipëri, ai u distancua nga deklarata e kolegut Myftar Tola për “bakshishet” por shtoi se ata se kanë pagën më të ulët në Europë, dhe normën më të lartë në raport me numrin e pacientëve që duhet të marrin në përkujdesje.

“Imagjinoni se çfarë terrori po shkaktohet te mjekët që mundohen të bëjnë punët e tyre.  Tani të gjithë janë të tmerruar sepse pas operacionit do i shpjegojnë familjarëve se çfarë ndodhi ndërsa tani paragjykohet. Takimi i mjekut me familjarin konsiderohet akt korruptiv. Nuk përkrahim akte korruptive por të drejtat e profesionistit nuk mund të shkelen.

Problematika që po ndodhin si pasojë e shumë arsyeve po ndikojnë në vendin e punës ose për largimin nga Shqipëria. Ne pretendojmë që një bashkëbisedim të na çojë aty ku duhet. Sot jemi vendi i fundit në Europë për pagën e mjekut. Një mjek duhet të përgjigjet për 2.5 pacientë për mjekë, ne e kemi mbi 4. Ne kemi normë më të madhe të punës dhe paguhemi shumë më pak”, u shpreh Stroni. m.v/abcnews.al