Sulmuesi i Milanit, Ante Rebic, nuk do të jetë i gatshëm për derbin kundër Interit. Në Milanello shpresonin shumë që kroati do të rikuperohej në kohë për ndeshjen e së shtunës, por tashmë edhe ai vetë është dorëzuar.
Sipas raportimit të “Milannews.it”, ditën e sotme lojtari zhvilloi disa vizita të tjera dhe së bashku me stafin kuqezi vendosën që është ende shumë shpejt që ai të rikthehet në fushë.
Tashmë Rebic do të vazhdojë terapinë e rikuperimit dhe do t’i nënshtrohet testeve të tjera në fillimin e javës tjetër për të shpresuar në një rikthim sa më të shpejtë.
Kujtojmë që 27-vjeçari u dëmtua në sfidën kundër Crotones, ku Milani arriti të fitonte 0-2. Ante u dëmtua në shpatull gjatë një sprinti, pasi u pengua dhe u rrëzua. /abcnews.al