Mjekët e QSUT-së kanë zgjedhur që edhe gjatë kësaj të marte të pezullojnë punën e tyre përreth 1 orë, duke protestuar kundër dhunës që është ushtruar ndaj kolegëve të tyre. Në mbështetje të mjekëve ka dalë edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila kërkon ashpërsim të kodit penal ndaj dhunuesve.
Një ditë pas specializantëve, ishte radha e mjekëve të QSUT-së për të protestuar për rastet e dhunës, të shënuara javët e fundit ndaj bluzave të bardha. Shqetësim për ta janë edhe kushtet e punës.
Arjan Harxhi, mjek QSUT: Sot është koha për të ngritur me të madhe zërin për të thënë fort, qartë dhe me empati: Dhuna nuk është pjesë e punës sonë. Ky është mesazhi dhe apeli që bashkësia jonë e personelit mjekësor duam t’ju përcjellim fuqishëm opinionit publik dhe politikbërësve. Duhet të jetë e qartë që vandalizmi dhe dhuna ndaj personelit në detyrë është një krim penal dhe shoqëri e civilizuar duhet të ketë tolerancë zero ndaj akteve të tilla të urryera.
Tritan Kalo, mjek QSUT: Dhuna është shndërruar në një sëmundje kronikë në Shqipëri dhe na takon ne radhë të parë ta parandalojmë. Populli duhet ta ketë qartë që nuk janë mjekët ata që krijojnë probleme, por janë probleme që lidhen me politikat lartë. Mjekët janë këtu për t’u shërbyer njerëzve. Mjeku është figurë e shenjtë. Nëse dikush shkel fushën e blertë në futboll, kërkohet të dënohet tre vjet nga kryeministri, ai që cenon figurën e mjekut ka pak 30 vjet burg.
Ministrja e Shëndetësisë solidarizohet me ta e përmes zëvendësministres Mira Rakacolli, paralajmëron ndryshime ligjore për të ashpërsuar dënimet për agresorët e bluzave të bardha.
Mira Rakacolli, zv.ministre e Shëndetësisë: Jam këtu për të protestuar krah mjekëve sepse për ne është e papranueshme dhuna ndaj bluzave të bardha. Po kërkohen ndryshime në Kodin Penal që e mbrojnë figurnë e mjekut dhe i bëjnë më të rënda masat për ata persona që ushtrojnë dhunë në ambientin ku mjekët punojnë. Nga ana tjetër, po kërkojmë me insistim zbatimin e ri të regjimit të sigurisë që po vendoset nëpër spitale dhe të cilët bëjnë që pacientëve t’i krijojnë kushte që mjekëtë të punojnë më me qetësi dhe trë japin shërbimet e tyre më me qetësi dhe më me cilësi.
Mjekët apelojnë se shteti duhet të marrë masa për t’iu garantuar atyre sigurinë gjatë orarit të punës, kushte e pagë më të mirë dhe paralajmërojnë vijim të protestës./abcnews.al