Mjekësia alternative në malet e Librazhdit, Refat Tanushi prej 35 vjetësh mbledh bimë mjekësore

schedule20:37 - 7 Janar, 2023

schedule 20:37 - 7 Janar, 2023

Nga Agim Blloshmi

Që në lashtësi bimët medicinale janë përdorur nga njerëzit për që shëruar shumë sëmundje. Një ndër to është edhe trëndafili i egër.

Atë e gjejmë të kultivuar kudo në Shqipëri. Në fshatin Vilan të Njësisë Administrative Polis, në Librazhd  është një banor që jo vetëm i njeh mirë këto lloj bimësh, por i mbledh dhe i ruan, si një thesar i shenjtë për të.

Refat Tanushi tregon më shumë rreth kësaj bime medicinale.

“Duhet ta kenë të gjithë familjet në shtëpi për çaj. Prej përmbajtjes së vitaminës C që ka trëndafili i egër, se nuk e ka asnjë bimë tjetër sasinë e saj as portokalli as limoni.”

Në dukje një bimë e bukur, por edhe ajo fsheh brenda saj shumë veti kuruese.

“ Përdoret për veshkat, prostatën, për infeksionet, rrugët urinare, për çdo gjë përdoret është shumë efektive dhe e kërkuar”.

Në këtë dhomë të vogël ndodhen të gjitha bimët medicinale të mbledhura nga Refat Tanushi.

“Tek kjo dhomë e vogël që kam grumbullar të gjithë punën prej vitesh kam bimë mjekësore që gjenden në vendin tonë. Zona jonë është shumë e pasur me bimë mjekësore.”

 

Ai tregon se zona e Polisit është shumë e pasur, por ka ende pjesë të pa eksploruara.

“ Mbi 95 % të bimëve mjekësore i ka zona jonë.”

Pasionin e trashëgoi nga mësuesi i tij i bioligjisë.

“Refat Allushi. Rastësisht, rreth viteve 1986- 1987 më aktivizoi profesori, biolog i mirë i zonave tona që kishte studiuas florën e zonës tonë. Më stimuloi dhe gjithë arritjet që kam i kam nga ai.”

Synimi i Rifatit janë vetëm ato bimë që kanë vlera mjekësore.

“ Ne jemi munduar që të gjejmë më të fuqishmet, ato me vlera më të larta mjekësore.”

Ai thotë se nuk është mjek popullor, por kur  klientët i kërkojnë diçka bën të pamundurën që t’ia sigurojë.

“ Ne nuk pretendojmë të mjekojmë, ne jemi përqendruar vetëm te mbledhja. Ai që e kërkon një bimë, e gjen vetë përdorimin.”

Në të gjithë vendin bimët medicinale dhe kultivimi i tyre po njohin çdo vit rritje. Tregu i huaj është i interesuar dhe ka vazhdimisht kërkesa.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!