Vera sjell ditë të gjata dhe temperatura të larta, por edhe një sërë problemesh në shtëpi, nga mushkonjat dhe mizat, te peshqirët me erë lagështire, njollat e forta në rroba dhe kujdesi për bimët. Në studion e “ABC e Mëngjesit”, këshilluesja e kujdesit të shtëpisë, Eva Ikonomi, ndau disa këshilla praktike që mund ta bëjnë përditshmërinë shumë më të lehtë.
Sipas saj, uthulla, soda e bukës dhe detergjenti janë aleatë të fuqishëm për të luftuar insektet në mënyrë natyrale, pa qenë nevoja të përdoren produkte të forta kimike.
Një tjetër problem i zakonshëm gjatë verës është aroma e pakëndshme e peshqirëve. Eva shpjegon se kjo ndodh shpesh sepse lavatriçja mbushet më shumë seç duhet ose përdoret sasi e tepërt detergjenti dhe zbutësi. Për një larje efikase, kazani duhet të mbushet deri në rreth tre të katërtat e kapacitetit, ndërsa detergjenti nuk duhet të kalojë 4-5 lugë gjelle.
Ajo këshillon gjithashtu që njollat e kremit të diellit dhe deodorantit të trajtohen menjëherë, pasi sa më gjatë të qëndrojnë në pëlhurë, aq më të vështira bëhen për t’u hequr. Po aq e rëndësishme është edhe pastrimi i lavatriçes të paktën një herë në muaj.
Për ata që kanë bimë në shtëpi apo në ballkon, Ikonomi rekomandon që ujitja të bëhet herët në mëngjes, nga ora 05:00 deri në 09:00. Në orët e nxehta të ditës, uji avullon shpejt dhe nuk arrin te rrënjët, duke dëmtuar bimët. Një tjetër truk interesant është përdorimi i lëkurave të patates si pleh natyral për të ndihmuar rigjenerimin e tyre.
Në fund, ajo ndalet edhe te ngjyrat e shtëpisë gjatë verës. Përveç së bardhës klasike, sugjeron nuanca pjeshke, blu, të verdhë, rozë apo vjollcë për t’i dhënë ambientit më shumë dritë, energji dhe një ndjesi freskie.
Me disa zakone të thjeshta dhe produkte që i kemi pothuajse gjithmonë në shtëpi, mund të mbajmë larg insektet, të kujdesemi më mirë për rrobat, bimët dhe ta bëjmë shtëpinë më të pastër e më të këndshme gjatë gjithë sezonit veror./abcnews.al



