Mitsotakis zgjedh Belerin/ Zheji: Sfidë Shqipërisë dhe Ramës. Minxhozi: Greqia nuk do ta humbë nga radari fokusin mbi Himarën

schedule21:07 - 16 Prill, 2024

schedule 21:07 - 16 Prill, 2024

Analisti Artur Zheji e konsideron sfidë ndaj Shqipërisë, por edhe kryeministrit Edi Rama, kandidimin e Fredi Belerit për eurodeputet në Parlamentin Evropian, nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Zheji u shpreh se Mitsotakis kërkon një kazuz për të fituar vota.

Ndërsa analisti Skënder Minxhozi deklaroi se Greqia nuk do ta humbë nga shikimi dhe nga radari fokusin mbi Himarën.

Artur Zheji: Këtu ka dy gjëra. Gjëja e parë që u kandidua dhe është kandidim politik për t’i krijuar një sfidë Shqipërisë dhe ndoshta sfidë personale Edi Ramës. Në mendjen e Mitsotakis ka bërë fole ideja fikse që ky është një proces i montuar politik dhe nuk është një proces gjyqësor. Këtu kanë ndhmuar edhe për fat të keq kryeopozitarët tanë, qoftë zoti Berisha, qoftë zoti Meta e kanë konsideruar Belerin si një të burgosur politik të Edi Ramës. Janë gjëra të tmerrshme që thonë, pa llogaritur impaktin që kanë në opinionin publik helen. Mitsotakis do një kazuz për të fituar vota.

Skënder Minxhozi: E dimë rolin që kanë partitë në zgjedhjet evropiane. Dimë që grekët janë shumë persistentë në politikat ndaj fqinjëve. Të gjitha krahët politik në Greqi kanë pasur dhe kanë projekt për Himarën. Është një projekt i cili përtej fitimin të votave në zgjedhjeve greke, ka githashtu dërgimin e mesazheve ndaj komuniteteve që jetojnë në këtë pjesë të bregdetit shqiptar, mbështetësve të Belerit, t’u dërgojë mesazh, që ai është në burg, nuk e kapi dot bashkinë, por nuk e kemi harruar atë. Greqia nuk do ta humbë nga shikimi dhe nga radari fokusin mbi Himarën. Himara kërkohet me çdo kusht t’i shtohet hartës së zonave minoritare greke në Shqipëri.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!