Mitsotakis vizitë zyrtare në Berlin dhe Paris

schedule17:52 - 19 Gusht, 2019

schedule 17:52 - 19 Gusht, 2019

Një mbështetje për lehtësimin e masave shtrënguese ndaj Greqisë. Është ky objektivi kryesor i vizitave zyrtare të kryeministrit grek Mitsotakis në Berlin dhe Paris.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, do të vizitojë këto ditë Parisin dhe Berlinin, në një përpjekje për të siguruar mbështetjen e presidentit Makron dhe kancelares Merkel, në projektin e Athinës për të zbutur shtrëngesën e imponuar nga kushtet e kreditorëve.

Një nga akset bazike të politikës së kryeministrit të ri grek është se vendi nuk mund të zhvillohet ekonomikisht, nëse nuk rishikohen disa prej këtyre kushteve. Por nga ana tjetër, ai është i ndërgjegjshëm se kjo nuk mund të realizohet nëse partnerët e Greqisë nuk tregojnë mirëkuptimin e nevojshëm.

Mitsotakis synon t’i bindë dy liderët e fuqishëm europianë, për vendosmërinë e qeverisë së tij që të zbatojë reformat e domosdoshme për të cilat ka nevojë Greqia. Për këtë qëllim, kryeministri grek do të ketë në valixhen e tij diplomatike paketën e plotë të reformave të ideuara nga qeveria e dalë pas zgjedhjeve të 7 Korrikut.

Madje, për ta paraqitur si fakt të kryer këtë vendosmëri, para fluturimit të kryeministrit, në parlament do të jenë depozituar për votim dy projektligje që këtu konsiderohen si tepër të rëndësishme.

Dy draftet parashikojnë masa që favorizojnë tërheqjen e investimeve, si dhe uljen e taksa tatimeve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!