“Mitralozi” i NBA është sërish Harden, James mbreti i asisteve

schedule14:18 - 15 Gusht, 2020

schedule 14:18 - 15 Gusht, 2020

Ylli i Houston Rockets, James Harden, është shënuesi më i mirë i basketbollit amerikan për herë të tretë radhazi. Ndërkaq, LeBron James doli më i miri i sezonit për asistet.

Çmimi i lojtarit më të mirë ende nuk është vendosur, por fituesit e statistikave në NBA tashmë njihen. James Harden mund të quhet “mitralozi” i basketbollit amerikan, pasi fitoi titullin e shënuesit më të mirë, madje për herë të tretë radhazi.

Ylli i Houston Rockerts pati mesataren 34.3 pikë për ndeshje, një nivel vërtet tepër i lartë, duke lënë pas rivalë të tillë si Bradley Beal, Damian Lillard apo edhe Giannis Antetokounmpo të Milwaukee Bucks, që ishte në mesataren 29.5 pikë.

Në total, i mbiquajturi “Mjekra” realizoi 2 308 pikë, 330 më shumë sesa Lillard i Portland Blazers. Me mbi 21 000 pikë në karrierë, Harden shpejt mund të konkurrojë me shënuesit më të mirë në histori të NBA-së.

Kapiten i Houston është numri 1 në NBA edhe për gjuajtjet për tri pikë, duke realizuar 299 kosha nga largësia. LeBron James, i cili vlerësohet si basketbollisti më i kompletuar në histori, fitoi për herë të parë garën e asisteve, duke dalë i pari këtë sezon me 10.2 për ndeshje. “Mbreti i basketbollit” pati diferencë të madhe me vendin e dytë, Trae Young të Atlanta Haëks dhe me sllovenin Luka Doncic të Dallas Mavericks.

Ndërkaq, në garë për çmimin e Lojtarit më të mirë të sezonit janë pikërisht James Harden, Lebron James dhe Giannis Antetokounmpo. Nuk dihet se cili mund të ketë avantazh në këtë konkurrim, por Harden dhe Antetokumbo ndoshta kanë pak më shumë mundësi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!