Jo gjithmonë planet realizohen. Trajnerët dhe klubet mund të kenë shumë dëshira, veçse realiteti është diçka tjetër dhe kjo po ndodh me Al Itihadin, teknikun Serzhio Konseisao dhe mbrojtësin shqiptar, Mario Mitaj.
Futbollisti i rëndësishëm i kombëtares pritet që jo vetëm të vazhdojë te kampionët e Arabisë Saudite, por edhe të kthehet në ekip.
Trajneri portugez, siç bëjnë me dijë mediat nga Rijadi, ka ndërmend t’i japë fund serisë prej 4 ndeshjesh në të cilën e ka lënë Mitajn jashtë skuadre.
Kjo sikterisje e tij ishte shenja e qartë se pritej largimi, por duket se kombinimi i duhur i rrethanave nuk ndodhi. Në total, Mitaj ka munguar pesë sfida radhazi, pasi në njërën prej tyre ishte i pezulluar, dhe në dy të tjera i lënë në tribunë.
Përtej ndonjë kritike të mediave saudite për gabime të rralla, por të kushtueshme të mbrojtësit të majtë, ai mbetet i vlerësuar tek Al Itihad. Jo më kot ka qenë vazhdimisht titullar, ka shënuar edhe gola e ka shërbyer asistë, duke qenë një nga më të mirët sezonin e kaluar në fitoren e titullin kampion dhe të Kupës së Mbretit.
Këtë edicion, Mitaj ka kontraste të mëdha. Në 7 ndeshje ka qenë në fushë për 90 minuta, ndërsa në 7 të tjera ka qenë totalisht jashtë ekipit./abcnews.al


