Mitaj “ngroh” stolin, “legjionari” regjistron vetëm 10 minuta lojë në kampionat

schedule15:38 - 27 Gusht, 2024

schedule 15:38 - 27 Gusht, 2024

Atyre që nuk shohin fushën u është shtuar edhe një tjetër.

Mario Mitaj, lojtari që ishte vjet në fushë për 21 ndeshje në Premier Ligën e Rusisë, këtë sezon është aktivizuar vetëm 10 minuta dhe kjo ndodhi dy javë më parë, ndërsa shërbeu asist në fitoren 5-0 të Lokomotivës në fushën e Akhmat Grozny.

Edhe pse Mitaj ka luajtur më shumë në Kupën e Rusisë, sërish 10 minuta në 6 ndeshje në kampionat janë një tregues alarmant, teksa ende nuk po kuptohet se çfarë po ndodh me njërin nga lojtarët më premtues të Kombëtares shqiptare.

Besohet se trajneri Galaktionov po e lë në stol edhe për faktin se klubi ka në plane që ta transferojë, ndërsa konkurrenca në mbrojtje në skuadër është e madhe.

Lajmi i fundit ishte që Lokomotiv Moscow ia ofroi Mitajn, “Fenerëve” turq, të Fenerbahce, ndërsa më herët është folur për interesim nga një sërë ekipesh të mëdha evropiane, si Bologna, Lazio, Brest, Galatasaray, Besiktas e deri te Juventus.

Çfarëdo që të jenë planet e klubit rus, momenti i Mitajt nuk është i mirë e padyshim që kjo do të ndihet nga vetë lojtari, i cili ka mbetur prapa shokëve te klubi rus, por do të ndikojë edhe në paraqitjet e tij për kombëtaren shqiptare, ndërsa afrojnë ndeshjet e shtatorit në Ligën e Kombeve ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!