Mitaj më i fortë se “rivalët”, “Legjionari” zgjedhja perfekte për “Zonjën e Vjetër”

schedule18:16 - 6 Prill, 2024

schedule 18:16 - 6 Prill, 2024

Besohet se është e sigurt që vjeshta nuk do ta gjejë në Moskë. Mario Mitaj mbetet njeri i lakuar në tregun e futbollin, dhe mediat ruse shkruajnë se mbrojtësi kuqezi ka një nivel të lartë këtë sezon, edhe pse nuk ka qenë 100 për qind i sigurt në formacion.

E përditshmja e vjetër “Sovetsky Sport” jep statistikat sipas të cilave, Mitaj është më lart sesa mbrojtësit e tjerë të majtë që ka, apo që kërkojnë “Bardhezinjtë”, me “Legjionarin”, që ka nivel pozicional thuajse të njëjtë me dy mbrojtësit e sotëm të “Zonjës së Vjetër”, Alex Sandro dhe Andrea Cambiaso, si dhe me mbrojtësin e Lecce, Patrick Dorgu, që Juventus ka në listën e të dëshiruarve.

Mitaj ka shumë më tepër interceptime të topit, cilësi e rëndësishme në mbrojtje, me 1.5 për ndeshje, ndaj 0.3, 0.4 e 0.8 që kanë lojtarët e mësipërm. Saktësia në pasime e 20-vjeçarit është 86.5 për qind, paksa më poshtë se Cambiaso e Alex Sandro, por diçka më mirë sesa Dorgu.

Natyrisht, në transferimin e mundshëm do të ndikojnë shumë faktorë, sidomos ata financiarë, por edhe mosha. Në këtë aspekt, Mitaj është një investim afatgjatë pasi është 20 vjeç, ndaj 33 të Alex Sandro e 24 të Cambiaso, ndërsa futbollisti danez i Lecce është pak më i ri, vetëm 19 vjeç. /i.m /abcnews.al