TIRANË- Arkeologu nënujor, Adrian Anastani ka spikatur ndjeshëm si një nga kërkuesit nënujor në Shqipëri, ndërsa ka kontribuuar në zbulimin dhe konservimit të thesareve të mëdha të trashëgimisë nënujore në bregdetin shqiptar.
Po ashtu ai ka ndikuar në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kërkimeve nënujore dhe ka hapur rrugën për të rinjtë, që të ndjekin këtë rrugë plot sfida, por dhe të veçanta njëkohësisht.
Projektet e tij të fundit kanë shënuar një përparim të rëndësishëm në kuptimin tonë për trashëgiminë nënujore. Nga gjetja e anijeve antike deri te sitet e neolitit të mesëm, Anastasi ka shpalosur një panoramë të pasur të historisë së përurimit dhe jetës në bregdetin shqiptar.
I ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, arkeologu ka treguar detaje mbi këtë profesion kaq të veçantë, por njëkohësisht dhe shumë sfidues.
Kjo punë e vështirë është shoqëruar me sfida të mëdha, si mungesa e pajisjeve dhe fondesh për kërkimet nënujore, por Adrian Anastasi nuk ka hequr dorë.
“Nuk do thosha që është në fillesat e veta, pasi në vitin që vjen bëhen 20 vjet kërkime arkeologjike në territorin e Shqipërisë, qoftë në det, qoftë në liqene. Mendoj që pavarësisht se ka qenë e dukshme, ose nuk ka qenë mjaftueshëm e dukshme është bërë një punë e madhe dhe vështirësitë kanë qenë jo vetëm të karakterit teknik dhe financiar, por edhe të figurave profesionale, të cilët mungojnë. Kështu që përgatitja e një ekipi të aftë për të kryer kërkime, pasi nuk mund të bësh kërkime individuale, qoftë dhe në zhytje individuale jo për punë arkeologjie, po për qejf, asnjëherë nuk këshillohet të jesh vetëm. Imagjino të bësh një punë shkencore, pra të duhet një grup teknik, të duhet një mbështetje me arkeologë, të cilat në njëfarë mënyre, Instituti i Arkeologjisë i ka kombinuar, qoftë me bashkëpunime me institucione të huaja, qoftë dhe puna ime, që kam përgatitur një grup teknik, i cili nuk ka asnjë diferencë nga grupet e huaja me të cilat kemi bashkëpunuar”, tha ai.
Më tej, ai tregoi se si iu fut rrugës së arkeologjisë nënujore.
“Siç janë të gjitha ëndrrat e një personi, që do rritet dhe do përzgjedhë profesionin e vet. Lidhjen me ato dëshirat dhe pasionet e para, që për mua janë të lidhura ngushtësisht me detin, pasi ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e jetës time dhe ka hyrë në jetën time në mënyrë të bollshme.”, tha ai.