Misioni i KFOR, dështim apo përparim?

schedule09:18 - 12 Maj, 2023

schedule 09:18 - 12 Maj, 2023

Parlamenti gjerman debatoi për zgjatjen e angazhimit të Bundeswehr-it në Kosovë. Pas agresionit rus në Ukrainë, qeveria gjermane e sheh stabilizimin e paqes në Ballkanin Perëndimor me interes të madh gjeostrategjik.

Prej 24 vjetësh tashmë, KFOR-i është në Kosovë, dhe prej 24 vjetësh zgjatja e mandatit të angazhimit të Ushtrisë gjermane (Bundeswehr) në Kosovë duhet të miratohet nga Parlamenti Gjerman (Bundestag), pas dy debatesh 40-minutëshe dhe një votimi me emër. Të enjten, 11.05.2023, u zhvillua debati i parë mbi mocionin e paraqitur nga qeveria gjermane për zgjatjen edhe me një vit të mandatit të stacionimit të ushtarëve gjermanë në Kosovë.

Politikanët e koalicionit tripartiak të qendrës së majtë (SPD, Të Gjelbrit, FDP) si edhe ata të grupit parlamentar më të madh opozitar (CDU/CSU) lavdëruan kontributin e KFOR-it në përgjithësi për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë. Por ata vunë në dukje edhe pikat kryesore që e bëjnë mandatin të nevojshëm: Sidomos pas agresionit rus në Ukrainë, qeveria gjermane e sheh stabilizimin e një paqeje të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor me interes të madh gjeostrategjik, tha sekretari i parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes, Thomas Hitschler, (SPD). “Përparimet e arritura në dy dekada nuk duhet të humbasin”, tha ai para deputetëve.

Numri maksimal i ushtarëve gjermanë që mund të angazhohen në kuadër të KFOR-it gjatë 12 muajve të ardhshëm mbetet i pandryshuar, 400. Aktualisht në Kosovë janë stacionuar afro 70 anëtarë të Bundeswehr-it. Por mandati i jep mundësi ministrit të Brendshëm që ta rrisë këtë numër në rast nevoje. Hitschler vuri në dukje se normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës mbetet ende i hapur, çka bën që herë pas here të ketë tensione në veri.

Peter Beyer: Nuk i tolerojmë më arsyetimet kundër asociacionit
Peter Beyer, nga partia opozitare CDU, tha se normalizimi i marrëdhënieve është kyç. Ai përshëndeti arritjen e Marrëveshjes së Ohritnë fund të marsit, por kritikoi mungesën e vullnetit për implementim. “Arsyetimet as nuk mund t’i dëgjojmë dhe as nuk mund t’i tolerojmë”, tha ai duke pasur parasysh zvarritjen e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga ana e qeverisë aktuale të Kosovës. Beyer paralajmëroi: “Stabilizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i lidhur ngushtë me qëndrueshmërinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Boris Mijatoviç, folës i grupit parlamentar, Të Gjelbrit, i cili vetë sapo ishte kthyer nga një vizitë në rajon, kujtoi plagët e luftës në Ballkan. Ai përmendi të humburit e shumtë dhe shumë çështje të hapura mes dy vendeve, që e vështirësojnë normalizimin. Politikani i partisë së ministres së jashtme, Baerbock u përqendrua te sukseset: Arritja e Marrëveshjes së Ohrit, edhe pse nuk është nënshkruar ende, kandidatura e Kosovës për anëtarësim në BE në fund të vitit të kaluar, si edhe përparimi i arritur në fund të marsit me kalimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës të kërkesës së Kosovës për anëtarësim. “Pra, ka suksese por procesi nuk ka përfunduar, kështu që na nevojitet edhe në të ardhmen prania e KFOR-it”, argumentoi Mijatoviç: “Është angazhimi ynë për paqen në rajon”.

E Majta dhe Alternativa për Gjermaninë e quajnë misionin e KFOR-it të dështuar
Politikanët e dy partive ekstreme, E Majta dhe Alternativa për Gjermaninë, zgjodhën si edhe në vitet e mëparshme një narrative diametralisht të kundërt me atë të katër partive të qendrës. Markus Frohnmeier, nga AfD, tha se e vërteta është se në fakt, se në vitin 2004 pati një “spastrim etnik” të pakicës serbe, në prani të KFOR-it.” Politikani i djathtë vijoi me akuza ndaj qeverisë së Kosovës: Nepotizmi, si ai rasti Habeck dhe Graichenështë normalitet në Kosovë”. Ai gjithashtu kritikoi qeverinë gjermane, që paguan ndihma zhvillimore, dhe, në emër të AfD, e refuzoi zgjatjen e mandatit. Ai kërkoi që t’i jepej fund këtij shërbimi “All inklusive” për Kosovën, që do të zgjasë edhe 25 vjet të tjerë.

Edhe Zhaklin Nastiç, që foli në emër të partisë E Majta, e hodhi poshtë zgjatjen e mandatit. Ajo e vuri theksin te situata e pakicës serbe dhe rome në Kosovë. Sipas saj çdo vit ka nga tre sulme ndaj tyre. Nastiç, partia e të cilës e ka quajtur gjithnjë gabim ndërhyrjen e NATO-s kundër Milosheviçit, tha se bombardimet sipas saj kanë shkaktuar 3 500 viktima, por për to askush nuk ka dalë para përgjegjësisë. Po ashtu, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi sipas saj për municionin me uran të përdorur gjatë bombardimeve, si edhe bombardimin e fabrikës së municionit në Pançevo, që sipas saj ka shkaktuar lëshimin e një mase të madhe merkuri.

Gjermania jep mbi gjashtë milionë euro në vit për Kosovën
Pas debatit prej 40 minutash, mocioni iu kalua komisioneve përkatëse, atij të jashtëm dhe të mbrojtjes. Trupat gjermane janë përfshirë në misionin e KFOR-it që nga 12 qershori 1999, me hyrjen në fuqi të rezolutës 1244 të OKB-së. Për zgjatjen e mandatit ekziston një konsensus i gjerë në parlamentin gjerman, kështu që mocioni pritet të miratohet.

Shpenzimet e Gjermanisë për angazhimin e ushtarëve të saj në KFOR pritet të arrijnë në rreth 6.1 milionë euro për dymbëdhjetë muajt e ardhshëm. Por kontributi i Gjermanisë në Kosovë është më i madh se kaq. Që nga viti 1999, ajo ka shpenzuar rreth 880 milionë euro për zhvillimin e Kosovës. Bashkëpunimi aktualisht është i fokusuar në fushat e energjisë, kanalizimeve, ekonomisë rrethore, arsimit dhe rritjes së qëndrueshme. Një projekt kryesor i bashkëpunimit zhvillimor është shndërrimi i kampit të Prizrenit në një park inovacioni dhe teknologjie./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!