Mirosllav Lajcak propozohet zyrtarisht përfaqësues i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

schedule17:47 - 22 Shkurt, 2020

schedule 17:47 - 22 Shkurt, 2020

Mirosllav Lajçak është propozuar të jetë përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për të udhëhequr dialogun Kosovë-Serbi. Lajmi bëhet i ditur nga Radio Evropa e Lirë sipas burimeve diplomatike në Bruksel.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell, u ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së emrin e Lajçak si përfaqësues i ardhshëm i bllokut, i cili para së gjithash do të merret me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe me çështje të tjera në rajon.

Propozimi formal i Lajçakut mësohet se ka qenë edhe arsyeja e bisedave telefonike që Borrell ka zhvilluar të premten me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pritet që emërimi i Lajçak në detyrën e re të bëhet më 23 mars, në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian. Lajçak vazhdon të kryejë funksionin e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë dhe për tu emëruar si përfaqësues i posaçëm i BE ai duhet të marrë miratimin e të gjitha vendeve anëtare. Lajçak ka përvojë të gjatë në rajonin e Ballkanit. Ai ka qenë ambasador i Sllovakisë në Serbi dhe Mal të Zi. Pastaj është emëruar i dërguar evropian për referendumin për pavarësi të Malit të Zi dhe ka shërbyer si përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!