Mirgen Shamblli, koleksionisti korçar i 10 mijë objekteve të qelqit “Made in Albania”

schedule14:30 - 29 Maj, 2022

schedule 14:30 - 29 Maj, 2022

Një shishe e aranxhates së dikurshme, pija freskuese e vetme e shqiptareve, si dhe një glob qelqi për ndriçimin e rrugëve të qytetit, janë objektet e para të prodhuara nga fabrikat e Qelqit në Shqipëri. Pasi e gjeti në një treg ku shiten sende të përdorura, Koleksionisti Mirgen Shamblli, vendosi ta bënte pjesë të koleksionit të tij.

“Aranxhata, ky  është gjetur te pazari i vjetërsirave, kur njerëzit pastrojnë shtëpitë i hedhin këto gjëra. Ka njerëz që i mbledhin dhe i shesin me një çmim simbolik, mund të thuash simbolik ata nxjerrin jetesën me këto.”

Për të këto prodhime nuk janë vetëm një nostalgji, por historia e qelqit Shqiptar. Koleksionisti korçar tregon se iu desh të udhëtonte në disa qytete dhe të vizitonte shumë familje që i ruanin ende suveniret e traditës.

“Ideja ka lindur këtu e 20 vjet më parë, me këto kungulleshkat, gotat, duke i pasur edhe qejf sebepet që bënim me gotat e rakisë, plus dhe lokalet.”

“Vështirësia ishte t’i grumbulloje, sepse si objekte gjendeshin, sepse çdo familje korçare i kishte.Vështirë që të krijosh, me këto objekte sepse qelqi thyhet. Duhet ta ruash, ta konservosh.”

Sot ai numëron mbi 10 mije objekte, te prodhuara ne te gjitha fabrikat e qelqit. Modelet jane te shumta, qe nga objektet e ambalazhimit, serviset e gotave per bare, restorante dhe serviset per familje.

“Kam 10 mijë objekte, nga ku janë përzgjedhur 1700 që është bërë botimi i katalogut me qelqin shqiptar. Flasim për të katërt fabrikat e Shqipërisë. Kurse për Korçën janë gjysmat, afërsisht 4 – 5 mijë objekte.”

Një veçanti e këtij koleksioni përbëjnë dhe dekoracionet. Janë kryesisht simbole të shpendëve, peshqve, por dhe gjarpërinj.

“Prodhoheshin edhe objekte artistike, natyre ishin peshqit, gjarpërinjtë që është dhe simbol i Korçës, zgjodh shumë pak, shqiponja, tavulla.

Prodhoheshin kana, qerasi, gotat e ujit, të birrës.  Me këtë fabrikë furnizohej e gjithë Shqipëria, pastaj u hapën në Kavajë dhe Tirana rreth viteve 70.

“Nga fabrika e Korçës janë miliona, kanë qenë 200 – 300 modele që prodhoheshin. Në një vit dilnin 200 – 300 modele.”

Kulmin e shkëlqimit, fabrikat e qelqit e arritën në vitin 1988, kur u ndërtua dhe linja e kristalit, si cilësia më e lartë e qelqit. Kjo linje u ndërtua përsëri në qytetin e Korçës, ku për dy vite prodhoi qindra modele dhe forma servisesh kristali.

Këto dy vite shënuan lavdinë, por njëkohësisht dhe fundin e prodhimit të qelqit “Made In Albania”. Në vitin 1990, pas përmbysjes së regjimit komunist dhe reformave të reja ekonomike, Fabrika e parë e qelqit u mbyll. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!