Miratohet zgjatja e marrëveshjes, Flamurtari i Sinan Idrizit edhe për dy vite

schedule11:38 - 26 Gusht, 2021

schedule 11:38 - 26 Gusht, 2021

Flamurtari vazhdon të jetë në një situatë të vështirë. Prej muajsh bashkia kërkoi investitorë për të marrë klubin në drejtim, por asnjë ofertë nuk erdhi dhe zgjidhja e vetme ishte Sinan Idrizi.

Këshilli Bashkiak i Vlorës ka zhvilluar së fundmi një mbledhje, ku ka vendosur që të vazhdojë t’i besojë administrimin e klubit kompanisë turke, që përfaqëson Sinan Idrizi.

Nuk ka të bëjë me një kontratë të re, por vetëm zgjatjen e marrëveshjes aktuale të administrimit, duke qenë se alternativa e vetme ishte kjo.

Në Vlorë e dinë mirë se kjo nuk është zgjidhja dhe se privatizimi i klubit do e shndërronte Flamurtarin në një klub normal dhe funksional dhe këtë e theksoi edhe Sokol Kushta.

Legjenda e klubit, në cilësinë e këshilltarit, deklaroi se kjo nuk është zgjedhje emergjente dhe kërkoi llogari përse nuk ecet përpara me privatizimin dhe me kërkesën e Idrizit, i cili ka kërkuar leje nga bashkia për të ndërtuar fusha stërvitore për klubin.

Edhe këshilltarë të tjerë i kanë dhënë meritat Idrizit për faktin se ai nuk ka marrë asnjë lek nga bashkia dhe është përpjekur të mbajë një klub që nuk është në pronësi të tij.

Vetë Idrizi tha se është krenar që nuk ka marrë asnjë para nga taksat e vlonjatëve, por kërkoi krijimin e ligjeve të forta mbi terrenet sportive sepse bashkia deri më tani nuk ka lejuar investimet në fusha, çka janë edhe themeli.

Me marrjen e këtij vendimi të sotëm, nis edhe puna për ndërtimin e skuadrës, e cila do të luajë në Kategorinë e Dytë këtë sezon. Flitet se Dritan Resuli nuk do vazhdojë të jetë trajner i kuqezinjve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!